Sollaku: Jeta ime si ish-prokuror i Përgjithshëm? Nuk qenka keq
Dy muaj pas largimit të tij nga detyra, ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, flet për herë të parë mbi jetën e tij të re jashtë zyrës. Ai tregon për armiqësinë e tij me Kryeministrin dhe pse dekreti i shkarkimit i firmosur nga Presidenti është antikushtetues, rrugën Durrës-Kukës dhe cili duhet të ishte tani fati i ministrit të Jashtëm, Basha. Sollaku flet edhe për presionet ndaj prokurorisë mbi përgjimet e paligjshme të qytetarëve.
Në këtë periudhë pas shkarkimit nga detyra, me çfarë po merret ish-prokurori i Përgjithshëm?
Në fakt, u bënë mbi dy muaj që tashmë kam jetën time private. Ka qenë një periudhë pushimi, çlodhjeje, që nuk e kam ndjerë shumë edhe sepse dhjetori është zakonisht muaji i pushimeve të gjata për këdo. Jam duke rizbuluar me ëndje ato kënaqësi normale të jetës njerëzore, nga të cilat isha privuar. Është si një rikthim në liri. Vetëm kur na mungojnë, kuptojmë vlerën e vërtetë të atyre dhjetëra detajeve normale që plotësojnë jetën e një prindi, bashkëshorti apo dhe profesionisti. Janari ka filluar disi më ndryshe, do ta quaja një pushim aktiv, ku janë ndërthurur pushimi me takimet dhe diskutimet për angazhime të reja, kryesisht në fushën akademike dhe të konsulencave ligjore. Vërtet është diçka e bukur, sinqerisht nuk e mendoja kështu, ngaqë asnjëherë nuk isha shkëputur nga veprimtaria shtetërore, dhe për këtë do të falënderoja edhe zotin Topi që dekretoi shkarkimin tim. Shpejt do të kem një zyrë konsulence juridike, ç‘ka miqësisht e bëj që tani. Është e mrekullueshme të rizbulosh gjithashtu miqtë, të cilët dikur e kisha të vështirë t‘i takoja, por dhe të shohësh se gjykimi i qytetarit të zakonshëm shqiptar është shumë më i kualifikuar se ato gjykime që ndeshen nga politika.
Si e gjykoni rolin e Presidentit Topi në mekanizmin e shkarkimit tuaj. Nuk keni folur asnjë fjalë për katër takimet mes jush sa kohë ishit në detyrë, çfarë ka ndodhur realisht në to?
Unë jam shprehur për rolin e zotit Topi në këtë proces. Jo vetëm për mendimin tim, por dhe si një pjesë e së vërtetës së madhe, qëndrimi i tij ka qenë në dhunim të hapur të Kushtetutës. Fatkeqësisht, tek ne, për momentin, nuk bën më përshtypje dhunimi i ligjit dhe Kushtetutës nga pushteti. Përpara se zoti Topi të merrte vendimin e tij, kjo mazhorancë, drejtues i së cilës ka qenë Topi, kishte miratuar afro 14 ligje dhe vendime që janë deklaruar antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Marrja edhe e një vendimi tjetër antikushtetues as prishte dhe as ndreqte punë. Shteti ligjor, fatkeqësisht, vazhdon të jetë ende një ëndërr në Shqipërinë feudale të një feudali të madh dhe dhjetëra feudalëve të tjerë të vegjël. Vërtet është për të ardhur keq, por kjo ka qenë mendësia e të vepruarit të feudalëve tanë në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm. Megjithatë nuk mund të rri pa kujtuar se ndërsa Presidenti thoshte se priste mendimin e ekspertëve për problemin e Prokurorit të Përgjithshëm, në të njëjtën kohë këmbëngulte se pasardhësi duhet të kishte integritet të lartë profesional e moral. Nuk di nëse vazhdon ta mendojë të njëjtën gjë edhe tani pas dy dekreteve të turpshme që firmosi.
Ndërsa për katër takimet e mia me Presidentin sa kohë isha ende në detyrë, dua të them se ato ishin të karakterit zyrtar konfidencial dhe në këto kushte, nuk e quaj etike të flas për to. Por mund t‘ju them që të gjitha citimet që ai vetë u ka bërë atyre nuk janë aspak korrekte. Ato çka kemi biseduar kanë qenë krejt tjetër gjë nga sa ka thënë ai, por unë nuk po shtyhem më tej.
Skandali i rrugës Durrës-Kukës po vazhdon të hetohet nga prokuroria, ndërsa ministri Basha është pa imunitet. Cilat janë hapat e munguara, në dijeninë tuaj, nga hetimi deri tani?
Pas largimit nga detyra nuk kam dijeni për veprimet e organit të akuzës, bile personalisht jam relativisht indiferent për fatin e asaj çështjeje. Tani jam qytetar i thjeshtë i këtij vendi dhe më vjen mirë që po bëhet një investim gjigand, duke u ndërtuar një rrugë e tillë. Natyrisht, si qytetar jam shumë i interesuar edhe për sa i përket zbatimit të ligjeve, jam i interesuar që rrugët të bëhen sa më mirë, sa më shpejt, por edhe sa më lirë të jetë e mundur. Tre muaj më parë, detyra që kisha më detyronte të shihja edhe se si zbatoheshin ligjet e këtij vendi në menaxhimin e fondeve publike, si dhe të veproja duke proceduar penalisht kur kishte dyshime se ishin shkelur ato. Hetimi është sekret, nuk mund të paragjykoj asgjë në lidhje me punën e prokurorisë, sepse nuk e di se çfarë po bëhet realisht. Duke qenë se kërkesa për heqjen e imunitetit bëhet për të larguar pengesat procedurale në ushtrimin e ndjekjes penale, siç parashikon neni 289 i Kodit të Procedurës Penale, hapat që duhen hedhur nga organi i akuzës pas dhënies së autorizimit për procedim, janë vënia nën akuzë e personit si dhe kryerja e një sërë veprimesh të tjera procedurale si kontrollet, përgjimet, ballafaqimet e të tjerë, natyrisht nëse do të shihej e nevojshme. Janë bërë apo jo këto veprime do të shihet në përfundim të hetimeve. Gjithsesi, në këtë fazë vlen prezumimi i pafajësisë së personave, për sa kohë nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë për fajësinë.
Cilat kanë qenë provat më të dukshme të shkeljes së ligjit në këtë dosje?
Tashmë janë bërë të njohura për opinionin publik, nëpërmjet kërkesës së prokurorisë drejtuar Parlamentit, një sërë shkeljesh ligjore të konstatuara në hetimin e kësaj çështjeje. Kam dëgjuar shpesh të përdoret si argument mbrojtës, ideja që ky është investimi më transparent i bërë ndonjëherë në vendin tonë. Unë do të thosha që e kundërta e kësaj ideje është më se e vërtetë. Si mund të quhet transparent një investim afro një miliard euro kur është shmangur Parlamenti nga vendimmarrja për këtë investim gjigand, në një kohë që Kuvendi ka diskutuar për ndërtimin e çdo shkolle apo ujësjellësi fshati, si mund të quhet transparent ky investim kur prokurorisë nuk i jepej procesverbali i diskutimit në mbledhjen e qeverisë, kur një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të qeverisë nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare, kur nuk ka pasur projekt, nuk ka pasur fond limit, nuk ka pasur burime financimi, nuk ka pasur konkurrim firmash, e kështu me radhë. Me fjalë të thjeshta mund të them se qeveria shqiptare i ka thënë firmës: "Bëje këtë rrugë si të dish, si të duash dhe sa të duash", duke u finalizuar kjo situatë me kontratën e nënshkruar, e cila është e detyrueshme për t‘u zbatuar nga shteti shqiptar. Kjo sepse kapitalizmi në thelb është kontratë.
A ndjeni keqardhje që gjatë kohës që ishit në detyrë, mjaft zyrtarë të tjerë të lartë, majtas e djathtas, mund dhe duhet të ishin inkriminuar si në rastin e ministrit Basha?
Konstatimi juaj është me vend. Ndryshimi i mazhorancave duhet të krijonte mundësinë e vënies para përgjegjësisë së çdo zyrtari të administratës së mëparshme që kishte shkelur ligjin penal. Them me ndryshimin e mazhorancës, sepse administrata e mëparshme nuk mund të kallëzonte veten e vet, dhe ky është një parim i njohur, ndalimi për të kallëzuar vetveten. Por, lidershipi i ri që erdhi pas 3 korrikut, në vend që të merrej me zyrtarët që kishin shkelur ligjin, të gjente fakte ndaj tyre dhe t‘i paraqiste në prokurori, u mor që në ditët e para me luftë dhe akuza ndaj institucionit të akuzës. Duke mos sjellë kështu, as më shumë dhe as më pak, por paralizimin deri në një farë mase të vetë institucionit dhe duke i dhënë mundësi zyrtarëve të korruptuar të fitonin kohë në përballjen me ligjin. Megjithatë, nuk mendoj se ata që kanë kryer vepra penale kanë shpëtuar përfundimisht apo do të shpëtojnë nga përgjegjësia, por dokumentimi i asaj veprimtarie sa vjen e vështirësohet me kalimin e kohës.
Si i gjykoni ditët e para të punës së pasardhëses suaj në detyrë, çfarë keni ditur më parë për të? Çfarë mund të bëjë ajo për reformimin e prokurorisë?
Ju thashë edhe më parë që nuk kam informacion se çfarë po ndodh aktualisht në atë institucion. Natyrisht drejtuesit të ri të institucionit do t‘i duhet njëfarë kohe përshtatjeje, edhe për faktin se vjen nga jashtë radhëve të prokurorisë, për t‘u njohur me problematikën dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në menaxhimin e institucionit. Për sa i përket reformës në prokurori, kjo nuk është detyrë e Prokurorit të Përgjithshëm, sepse reforma është ligj dhe ligjet i drafton qeveria dhe i miraton Parlamenti. Prokurori i Përgjithshëm mund të përcjellë mendimet e trupës së prokurorëve për përmirësime ligjore, natyrisht nëse ja kërkojnë. Nëse e keni fjalën për lëvizjet e kuadrit apo ristrukturime të hallkave të Prokurorisë së Përgjithshme, kjo është pjesë e rutinës së përditshme të punës që çmohet nga titullari hap pas hapi, brenda hapësirës që i jep ligji organik i prokurorisë.
Të rikthehemi dhe njëherë te drejtuesi i drejtpërdrejtë i luftës ndaj jush. Keni akuzuar direkt Kryeministrin Berisha për fshehje të pasurisë së tij dhe kalimin e pasurive të patundshme në emër të familjarëve. Çfarë mund të thoni më shumë, keni fakte që nuk dihen nga publiku?
Unë nuk kam akuzuar kërrkënd, se ndryshe do të akuzohem se kam pasur frikë për të vepruar si Prokuror i Përgjithshëm ndaj Kryeministrit. Unë kam cituar vetëm ato që Kryeministri ka shkruar në deklaratën e pasurisë së tij, ku ka thënë që lekët e tij të grumbulluara në vite ja kishte kaluar familjarëve të tij.
Jeni shprehur dikur në Kuvend se në Shqipëri, për frymë popullsie, qytetarët janë më të përgjuar se gjithkund tjetër. Është abuzuar me këtë armë të hetimit dhe a është shkelur ligji?
Është e vërtetë që fatkeqësisht numri i subjekteve të përgjuara në vendin tonë mbetet ende mjaft i lartë. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Së pari, është një metodë hetimi dhe parandalimi që përdoret për herë të parë në vendin tonë, pra nuk ekziston një traditë e konsoliduar. Së dyti, lidhet me presionin e madh që bëjnë strukturat shtetërore të sigurisë dhe të luftës kundër krimit ndaj prokurorisë për të administruar informacione nëpërmjet përgjimeve pa u lodhur shumë, dhe së treti, do të thosha që ligjet në fuqi lënë shumë hapësirë për përdorimin e mjeteve të përgjimit. Mendoj se ka ardhur koha që duhet të vendosen kritere më të forta ligjore për përdorimin e përgjimeve, duke bërë ndërhyrjet e duhura në ligjin përkatës si dhe në Kodin e procedurës penale. Në dijeninë time, struktura përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme, me gjithë presionet e shumta që bënin kërkuesit, ka ditur të respektojë me fanatizëm ligjin, duke kthyer mbrapsht shumë kërkesa të subjekteve të ndryshëm që kanë qenë të paargumentuara ligjërisht.
Aktualisht po flitet shumë për reformën në drejtësi. Cilat janë në vështrimin tuaj defektet e sistemit dhe ku duhet ndërhyrë realisht?
Mendoj se po bëhet shumë propagandë, veçanërisht tani në prag të Samitit të Bukureshtit, ku pritet të marrim ftesën për anëtarësim në NATO. Nuk është çudi që vendimi mund të jetë marrë tashmë dhe uroj që të jetë një vendim pozitiv. Vendet e NATO-s nuk mund të gënjehen me të ashtuquajturën reformë në drejtësi që propagandohet me bujë të madhe nga politika shqiptare, për më tepër që edhe vetë politika nuk e ka të qartë se çfarë duhet të synojë reforma në drejtësi. Reforma, për më tepër kur thuhet reformë e thellë, nënkupton në radhë të parë ndryshim, prekje sistemi në drejtësi. As unë, por as ju, nuk keni dëgjuar të ankohet dikush për sistemin tonë të drejtësisë të rregulluar në Kushtetutë dhe në ligje. Pretendimet e politikës, por edhe të opinionit publik për të luftuar korrupsionin në drejtësi apo paaftësinë, që reflekton në nivelin e ulët të dhënies së drejtësisë, nuk mund të luftohen me ligje shtesë.
Korrupsioni në drejtësi do të luftohet njësoj siç luftohet edhe në sfera të tjera të jetës shoqërore, siç luftohet në tenderime, në tatim-taksa e sektorë të tjerë të ndjeshëm ndaj këtij virusi, ku ka pasur edhe zyrtarë të arrestuar. Pra, nëse policia merr informacione që krijojnë dyshime të bazuara se x gjyqtar apo y prokuror ka marrë apo do të marrë ryshfet për një çështje të caktuar, kjo polici ka për detyrë të ndërtojë punën, duke përdorur metodat hetimore për të dokumentuar veprimtarinë korruptive të këtyre magjistratëve. Po kështu, paaftësia profesionale që shfaqet në disa kategori gjyqtarësh a prokurorësh nuk luftohet me ligje, por me më shumë fonde buxhetore në dispozicion të shkollës së magjistraturës apo edhe të Ministrisë së Drejtësisë, pasi edhe kjo e fundit e ka për detyrë trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këto dy momente janë të rëndësishme për të luftuar të keqen në drejtësi.
Por në gjyqësor dhe prokurori kemi shumë juristë që janë të ndershëm dhe të aftë, që e kanë pasion dhënien e drejtësisë. Kjo kategori ka nevojë të stimulohet me paga më të mira dhe kushte më të mira pune, dhe për më tepër shteti t‘u garantojë pavarësi të vërtetë në dhënien e vendimeve, dhe jo t‘i mbajë nën presion në mënyrë direkte, me inspektoratet e Ministrisë së Drejtësisë apo dhe indirekt nëpërmjet medias proqeveritare. Unë mendoj se kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe transparencën e sistemit tonë të drejtësisë. Problemi shtrohet nëse e respektojmë apo jo atë. Prandaj mendoj se kryesore mbetet jo reformimi i sistemit, por reformimi i mentalitetit veçanërisht i atyre që drejtojnë shtetin. Natyrisht, gjatë implementimit të ligjeve del edhe nevoja për amendime të ligjeve, por kjo është një detyrë normale e qeverisë dhe Kuvendit dhe nuk duhet ngatërruar me atë që quhet reformë e thellë në drejtësi.
(Marrë me shkurtime nga MAPO. Titulli është i redaksisë)