E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza italiane dhe mbrapshtite e politikes shqiptare

Tri ditë më parë, pas një votëbesimi në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat të kërkuar me këmbëngulje nga Kryeministri Romano Prodi, ra qeveria italiane e radhës. Shkak u bë përçarja e mazhorancës; më saktë, largimi prej saj i një partie të vogël, votat e së cilës në Dhomën e Lartë të Parlamentit Italian (janë vetëm tre) kanë qenë përcaktuese në krijimin e një mazhorance tepër të brishtë. Kjo është një parti, që ka dalë nga rrënojat e Partisë legjendare Demokristiane, e që është komanduar e komandohet nga Clemente Mastella. Ky i fundit, pavarësisht tronditjeve e furtunave të herëpashershme në politikën italiane e pavarësisht nga fakti që përfaqëson një elektorat numerikisht të vogël e gjeografikisht të izoluar, ka mundur të mbijetojë në sajë të aftësive të veta prej alkimisti gjenial. Vetidentifikimi i tij me qendrën në spektrin politik (kjo për të ka dashur të thotë sipas rastit e rrethanave as/edhe i majtë, as/edhe i djathtë) ka përligjur kapërcime të partisë së tij nga njëri krah në tjetrin, gjë që, në kushtet e mazhorancave të brishta qeverisëse, e ka shndërruar atë vetë në një personazh, të cilit i janë vardisur pa fund e nga të gjitha anët.

Po pse u largua Clemente Mastella nga mazhoranca e nga qeveria "Prodi" (ai ishte deri në fund ministër i Drejtësisë)? Ai u largua, pasi u zbardhën e dolën në dritë ca biseda të përgjuara, nga të cilat rezulton që ai, gruaja e tij e familjarë të tjerë, kanë bërë çmos për të komanduar struktura të tëra të pushtetit lokal (në Campania); dhe e kanë bërë këtë nëpërmjet një logjike të pastër nepotike, duke krijuar kështu një rrjet të tërë klientelist, në qendër të të cilit ka qenë e është "boss-i" Clemente Mastella. Në bisedat telefonike të bëra publike nuk flitet për pará, për tangente e për ryshfete. Absolutisht jo. Gjithçka del prej atyre bisedave ka të bëjë me nepotizimin e me akraballëqet.

Në mënyrën më të çuditshme, për gruan e ministrit të Drejtësisë u lëshua një urdhër arresti shtëpiak, i cili është parë si i pamotivuar prej të gjithëve, gjë që ka prodhuar një solidaritet të hatashëm politik rrotull Mastella-s e familjes së tij "të persekutuar". Ky solidaritet ka ardhur edhe prej faktit, që ‘spoils system‘-i (me fjalë të tjera, klientelizmi) në Itali është një dukuri rutinore, endemike e kapilare. Me fjalë të tjera, të gjithë bëjnë si Mastella.

E thënë kështu, mund të krijohet përshtypja se në këtë drejtim Italia është një lloj Shqipërie. Por afërmendsh është një përshtypje krejt e gabuar. Janë boritë e alarmit, të cilave po u bie këto ditë opinioni publik italian (nëpër gazeta, televizione, talk-show etj., nuk flitet për një gjë tjetër), ato që krijojnë idenë se në fqinjin tonë të përtej Adriatikut akraballëku është ngritur në sistem. Në fund të fundit, me ndjeshmëritë që ekzistojnë në pjesën qibare e të gdhendur të opinionit politik e publik italian, kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por e parë me syze shqiptare, kjo të duket një zhurmë e kotë. Për më tepër, ka diçka tjetër që neve shqiptarëve mund të na e bëjë realitetin italian shumë të largët. Atje, një gjykatës i thjeshtë, s‘e ka për gjë të arrestojë gruan e ministrit të Drejtësisë. Kuraja e këtij gjyqtari të thjeshtë është edhe më përshtypjelënëse, kur mendon se nga të gjithë ky arrestim është konsideruar i gabuar dhe i pabazuar në ligj (në Itali nuk ka ligje që dënojnë klientelizmin, nepotizmin, akraballëkun). E megjithatë, në këtë berihaj, ndonëse shumëkush është kapur në befasi nga sjellja prej kryqtari e një gjykatësi apo e disa gjykatësve, janë më të shumtë zërat, që i dalin në mbrojtje sistemit të drejtësisë, e që nuk pajtohen me kryqëzatën politike kundër këtij sistemi. Sipas këtyre zërave, Mastella duhet të bëjë atë që ka bërë Andreotti: të shkojë të mbrohet e të kërkojë pafajësinë në sallën e gjyqit, e jo të bërtasë kundër gjyqtarëve e kundër sistemit të drejtësisë.

Përmbledhtazi, e dini çfarë të godet më së shumti në këtë histori? Le t‘i rreshtojmë gjërat: së pari, një gjykatës çfarëdo i provincës ka kurajën të ngrejë një padi kundër ministrit të Drejtësisë e familjes së tij; së dyti, një gjykatës çfarëdo ka kurajën, që mbi bazën e kësaj padie, të urdhërojë arrestin shtëpiak të gruas së ministrit të Drejtësisë; së treti, që vendimi i gabuar i këtij gjykatësi (edhe armiqtë e Mastella-s e thonë troç, se vendimi është i pabazuar në ligj) bëhet shkak për rënien e një qeverie; së katërti, edhe pse Italia po përjeton një krizë të fortë politike për shkak të një vendimi të gabuar gjyqësor, askush nuk u mor më shumë se sa duhet me arkitektin e kësaj krize. Ai nuk shihet si një gjyqtar i prapë, mistrec, arrogant e arbitrar, por shihet si pjesë e një sistemi të tërë, që funksionon mbi bazën e rregullave e ligjeve të caktuara (janë përcaktuar në këto ligje edhe instrumentet e kontrollit të këtij gjyqtari).

Ja pra, kjo është diferenca e madhe midis Italisë e Shqipërisë. Në Itali nuk mund të ndodhë kurrë, që të dalë një ish-ministër Drejtësie, e të thotë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve: bëheni si të doni ligjin, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i yni, d.m.th. i Partisë Demokratike (kjo deklaratë është bërë nga I. Rusmali. Shih "Panorama"-n e datës 25.01.2008, nr. 1912, faqe 3). Ky është një skandal i vërtetë. Por skandali më i madh ka të bëjë me faktin, që askush nuk ndalet te ky skandal. Ndër të përditshmet shqiptare, ishte vetëm gazeta "Panorama" që i kishte kushtuar një vëmendje gjysmë të ftohtë këtij lajmi. Gazetat e tjera nuk kishin asnjë rresht. Deputetët e opozitës të pranishëm në atë mbledhje e kanë ngritur zërin dhe e kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj kësaj logjike, por nuk kanë marrë mundimin ta shndërrojnë në një objekt të diskutimit politik e publik edhe jashtë mureve të sallës së mbledhjes. Më anë tjetër, as që duhet të na shkojë në mendje, se kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, alias Presidenti i Republikës, do ta shohë të udhës ta denoncojë këtë qëndrim; ta denoncojë me një logjikë impersonale si një tentativë për të nëpërkëmbur shtetin e së drejtës e Kushtetutën, por - në daçi - edhe me një qasje të personalizuar si një fyerje që i bëhet atij vetë, duke e konsideruar sot e gjithë ditën si një instrument të mazhorancës. E të mendosh se kjo deklaratë është bërë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, teksa kanë qenë duke diskutuar hapat e variantet e reformimit të sistemit gjyqësor.

Merret vesh pra, që fabulën italiane, me të cilën kam hapur këtë shkrim, nuk e sjell në vëmendjen e lexuesit për të përqeshur akraballëqet në politikën italiane. Ci mancherebbe! Ngjarja italiane më bëri përshtypje - gjë që nuk kam munguar ta shpreh pak më sipër - së pari për faktin, që drejtësia italiane është krejt e pavarur e nuk di të tutet përballë asnjë presioni e asnjë pushteti, e së dyti për faktin, që kjo drejtësi, edhe kur bën gabime, edhe kur gabimet e saj bëhen shkak për kriza të frikshme politike e qeveritare, rrethohet me respekt e solidaritet. Sistemi i drejtësisë e qëndrueshmëria e tij vlejnë më shumë sesa çdo pushtet ekzekutiv e çdo mazhorancë qeverisëse, s‘ka gjë se legjitimiteti i këtyre të fundit buron prej sovranit popull e s‘ka gjë se vetë organizimi e funksionimi i sistemit të drejtësisë është në një masë të madhe një atribut e tagër i politikës. Mendje si ajo e ish-ministrit tonë të Drejtësisë nuk mund ta kuptojnë një gjë të tillë kaq elementare. Për të e për të tjerë si ai, sistemi i drejtësisë, ashtu si dhe institucionet e tjera shtetërore (sidozot, Presidenti i Republikës) janë e duhet të jenë nën komandën e partisë në pushtet. Mjerë ai? Jo, mjerë ne!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›