Të moshuarit, jo më si tani
E ndërtuar mbi themele pune çnjerëzore dhe mundi të pashembullt, veçanërisht në 50-60 vitet e fundit, Shqipëria ka një borxh të madh, ka një detyrim të madh, ka një mirënjohje të madhe që kurrë nuk e shprehu si duhet ndaj atyre që sot janë të moshuar dhe që dhanë gjithçka për të, pa marrë thuajse asgjë në këmbim. Duke e përcjellë si një brengë jo vetëm politike, por si një brengë shumëdimensionale. Te ne, në LSI, ditë pas dite u ngjiz bindja e fortë se një shprehje e re shumë më qartësisht e artikuluar do të duhej të ishte krijimi i raporteve të reja me një brez shumë të madh, të gjerë e të rëndësishëm, përcaktues siç është mosha e tretë.
Ky raport do të duhej të ishte më së pari i vërtetë, thellësisht njerëzor dhe i shtrirë në kohë, sepse shumë kohë kishte rrjedhur, dhe ajo kishte influencuar në dëm të këtij raporti dhe sigurisht që jo gjithçka mund të rikuperohej në pak kohë. Kjo filozofi e mirë dhe njerëzore komunikimi e bën unikale nismën tonë për përgatitjen dhe përfundimin e projektligjit për moshën e tretë. Është e pashembullt gjithçka që ka ndodhur me këtë projektligj. Nuk ka, pa asnjë dyshim në historinë e pluralizmit shqiptar një nismë ligjore, që të ketë kaluar përmes një rruge kaq të gjatë analitike dhe konsultimi të gjerë të mirëmenduar. Rrugëtimi i kësaj nisme ligjore përbën një risi shumë pozitive në këtë pluralizmin tonë të shkurtër e meskin, të mbushur me intriga e nisma ligjore të rrufeshme pa ide, pa thelb dhe që u kundërvihen në shumë raste qytetarëve votues. Biseda e shtrirë ndër vite me njerëzit e moshës së tretë në të gjithë vendin filluan që në vitin 2005. Ka qenë një bashkëbisedim jo politik, por shumë njerëzor e profesional dhe duke pasur shtysa të këtilla u shndërrua natyrshëm edhe në një argument që thërriste politikën të bënte pjesën e saj aq të domosdoshme në këtë proces, duke mos u bërë një pjesë e bezdisshme toksike e procesit, por një instrument i dobishëm dhe i pazëvendësueshëm, që nisma të formësohej si nismë ligjore, por edhe të hynte në hullinë e shndërrimit në një mundësi ligjore konkrete që do të jepte zgjidhje konkrete.
Është sigurisht një fakt dramatik në kuptimin më të plotë të fjalës ndarja nga jeta në rrugë e sipër të të moshuarve të nderuar, shkencëtarë të vërtetë, të cilët mosha dhe sëmundjet nuk ua mundësuan të ishin të pranishëm në dimensionin që mori nisma e ligjit të moshës së tretë, ku ata vunë zemrën dhe shëndetin e tyre, duke mbështetur idenë tonë për të. Të gjithë kanë besuar shumë te kjo nismë dhe vetë realitetet familjare të prindërve tanë, të të afërmve tanë të moshuar, që me sy dashamirës, por edhe kritikë, na shihnin e prisnin prej nesh një zgjidhje të mirë prej qytetarësh të mirë. Ishin një shtysë, por edhe oponencë kaq e veçantë, sa çdo krahasim për konstruktivitetin e tyre për të do të ishte i pamjaftueshëm.
Normalisht, ideja jonë për këtë projektligj për moshën e tretë ishte një mundësi e madhe për të komunikuar me një realitet shoqëror të jashtëzakonshëm, siç ishte mosha e tretë. Të gjithë ne jemi më të pasur sot. Pluralizmi i egër dhe i paarsyeshëm shqiptar, që në shumë raste nëpërkëmbi vlera të patjetërsueshme të kombit tonë, mendoj se fajin më të madh e ka bërë me moshën e tretë. Ai bashkëjetoi me një pasuri, pa ia ditur kurrë vlerën asaj dhe tentoi të krijonte vlera nga antivlerat, duke varfëruar edhe realitetin shoqëror shqiptar, duke lënë pas dore një pasuri kolosale profesionale, njerëzore dhe morale, siç ishin qindrat e mijëra njerëzve të moshës së artë të tretë.
Duke u sjellë në mënyrën më provinciale të mundshme, politika shqiptare e vuri këtë pasuri kombëtare në periferi të jetës shoqërore dhe pse jo e përballi atë poshtërsisht edhe me alternativën e mbijetesës, duke detyruar krenari të vërteta të kombit të luftonin, pse jo edhe me urinë e me sëmundjet, pa pasur mundësinë shpeshherë t‘i luftonin ato. Kryemisioni i këtij projektligji, që shkon shumë më përtej se ligji dhe nenet e tij, vetë është ai i rivlerësimit dhe përuljes me respekt të pafund ndaj kësaj pasurie të pamatshme të mendjes dhe zemrës dhe rikrijimit të atij raporti të ri të munguar prej vitesh dhe një riintegrimi social që do të duhej të ishte bërë me kohë.
Përcaktimet në projektligj, që fillojnë nga krijimi i qendrave sociale për të moshuarit në të gjitha rrethet e vendit, përparësitë në strehimin e tyre, lehtësirat në përdorimin e mjeteve të shërbimit urban, një ridimensionim i asistencës mjekësore, duke e ofruar për të moshuarit e sëmurë kronikë në banesë, ridimensionim i asistencës sociale për ata që kanë fëmijë në varësi, si dhe funksionimi i geriatrisë, apo thënë më thjesht mjekësisë për të moshuarit, si një shërbim mjekësor i specializuar, shtuar edhe dhënien e pensionit të trembëdhjetë, përbëjnë elementët thelbësorë të një riformulimi të plotë e me shumë dimensione të raportit të shoqërisë shqiptare me kontribuuesit dhe krijuesit e mjaft prej vlerave që ajo përdor dhe mbart sot.
Kushdo mirëdashës e kupton se nuk mund të luftohet një lloj izolimi që po përjeton sot kjo moshë, përveçse me veprime që mundësojnë një jetë sa më komunitare dhe të një kontakti të vazhdueshëm jetësor me njerëzit e brezit që i përkasin, por edhe me të brezave të tjerë. Është e pamundur të vazhdojë trajtimi shëndetësor i pacientëve të moshuar në mënyrë të njëjtë me të gjithë pacientët e tjerë, në një kohë kur shkenca mjekësore nëpërmjet geriatrisë, predispozon dijet, veprimet dhe instrumentet e duhura për një trajtim mjekësor në përputhje me specifikat biologjike që mosha e tretë ka.
Shoqëria në të cilën jetojmë dhe shtrenjtimi i vazhdueshëm i jetës kërkon natyrshëm një asistencë financiare të shumëllojshme, e cila është jetike për të moshuarit që kanë të ardhura shumë të pakta dhe pensionin si burimin e vetëm të tyre dhe kësisoj lehtësirat në transport dhe pensioni i trembëdhjetë janë një zbutje që ndihmon sado pak dhe demonstron një solidaritet pozitiv të një shoqërie që çmon dhe vlerëson kontributin dhe pasurinë kombëtare të krijuar ndër vite nga ata që sot i përkasin moshës së tretë.
Sigurisht që paraqitja e një projektligji të tillë është qartësisht një test i fortë për emancipimin e shoqërisë shqiptare dhe sidomos për politikën shqiptare, thënë ndryshe të gjithë do të kuptojnë më mirë se sa ajo ka ndryshuar dhe se sa ajo ka kuptuar thelbin e ekzistencës së vet dhe të detyrimit të madh që ajo ka për qytetarët në përgjithësi dhe për moshën e tretë në veçanti. Shqipëria ka qenë vendi ku dhe tradita më e hershme ka dhënë mijëra shembuj vërtet shumë të bukur dhe mjaft të ndjerë të respektit dhe peshës së fjalës së të moshuarve ndaj dhe pleqësia ka qenë një koncept dhe mënyrë funksionimi e shoqërisë shqiptare, që sot duhet ta ridimensionojmë nën një optikë të re dhe projektligji për moshën e tretë sigurisht është instrumenti i duhur i lindur sipas filozofisë së duhur për ta bërë këtë, sepse sot më shumë se asnjë nismë tjetër ligjore, ajo ka mijëra e mijëra të moshuar që e gjejnë veten në të dhe e mbështesin atë se kanë qenë pjesë organike e lindjes së saj.