E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha paralajmëron spastrime masive: Kush ka bashkëpunuar me kundërshtarin nuk ka vend në PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, përpara protestës së 24 janarit, e përkufizoi vitin 2026 si vitin më vendimtar për opozitën dhe për fatin politik të Shqipërisë.

 Ai paralajmëroi një analizë të brendshme, ku do të evidentohen drejtuesit dhe anëtarët që nuk kanë punuar gjatë fushatës për shkak të pakënaqësive personale, si dhe ata që kanë bashkëpunuar me kundërshtarin politik.

Berisha u shpreh se individët që kanë vendosur interesat e tyre mbi kauzën e opozitës nuk mund të kenë më vend në PD, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë të kundërshtarit: “Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës.”

Kryedemokrati theksoi se përballja me qeverinë aktuale nuk është më një betejë e zakonshme politike, por një mision historik: “Ky është viti i provës së madhe, ky është viti i sfidës më të madhe që kemi patur ndonjëherë në jetën tonë politike, ky është viti më përcaktues për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë.”

Ai u ndal tek primaret, duke i cilësuar si rruga e vetme që anëtarësia e PD-së të flasë dhe si një standard bazë për demokracinë e brendshme: “Primaret janë rruga që anëtarësia e PD të flasë. Nuk do të hiqet dorë nga primaret, sepse ato janë garancia e demokracisë së brendshme.” Berisha shtoi se është e domosdoshme riorganizimi i strukturave të partisë nga grup-seksioni deri në degë, me lista të sakta të anëtarësisë: “Jemi partia më e madhe e cila duhet tani të vërtetohet në çdo segment, në çdo zonë, në çdo terren. Ne jemi parti e terrenit. Terrenin ne e zotërojmë kur të kemi të vërtetuar partinë tonë se është aty, anëtarësinë tonë se është aty.”

Duke e cilësuar PD-në si një parti të madhe që e ka faktuar këtë me vota, Berisha nënvizoi se analiza e brendshme do të jetë e domosdoshme për të ndarë përgjegjësitë dhe për të riorganizuar strukturat: “Do të evidentohen ata që nuk kanë punuar, ata që kanë bashkëpunuar me kundërshtarin, sepse kjo parti nuk mund të mbajë mbi shpinë individë që e tradhtojnë për interesa personale.”

Në fund, Berisha theksoi se largimi i kryeministrit Edi Rama nuk do të vijë nga drejtësia apo nga faktorë ndërkombëtarë, por vetëm nga qytetarët dhe opozita.

“Atë nuk e heq kurrë drejtësia, atë duhet ta heqim ne. Është koha e njerëzve që vendosin të sakrifikojnë për idealet e tyre.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›