E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reformë e re për menaxhimin e biosferës, Rama: Ristrukturojmë AKZM dhe AKP në një agjenci të vetme

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin për zhvillimin e biosferës, njoftoi nisjen e një reforme të rëndësishme në menaxhimin e pyjeve dhe zonave të mbrojtura. Ai deklaroi se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP) do të bashkohen në një strukturë të vetme, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe garantimin e standardeve europiane.

“Në tërësinë e këtyre elementeve, ajo që përbën një pikë të domosdoshme për të siguruar një ecuri të suksesshme që lidhet me negociatat për anëtarësim, është një menaxhim shumë më i mirë, më i sigurt i pyjeve.

Për këtë arsye, me Ministrin e Mjedisit, jemi angazhuar në një proces reformimi të modelit të menaxhimit të pyjeve dhe natyrës në tërësi. Ky reformim do duhet të fillojë nga një ristrukturim i Agjencisë Kombëtare të Zonave të mbrojtura dhe Agjencisë Kombëtare të Pyjeve duke i bërë bashkë dhe duke krijuar një sinergji mes të dyjave, për të pasur 1 agjenci e cila do merret 360 gradë me zonat e mbrojtura dhe pyjet. Janë dy komponent të pazgjidhshëm dhe 2 agjenci e bëjnë më të ngatërruar procesin. S’na ndihmojnë të ecim më shpejt në mirëmenaxhimin e cilësisë që garanton standardet europiane në këtë fushë.”, deklaroi Rama.

Ky i fundit theksoi se në dy dekadat e fundit zonat e mbrojtura në vendin tonë, kanë qenë nën agresionin e vazhdueshëm të ndërtimeve të paligjshme dhe të ndotjeve. Ai shtoi se sot mund të shihen me krenari rezultatet e dy memorandumeve që miratuara nga qeveria Rama.

“Është moment i mirë për të bërë bilanc. Duke kthyer kokën pas ndërkohë që jemi të fokusuar te një prej aspekteve më të vështira të procesit të negociatave që është aspekti i mjedisit. Padiskutim mënyra si shihen, trajtohen, promovohen zonat e mbrojtura, është një pjesë strategjike e gjithë këtij kompleksi që lidhet me natyrën që na rrethon.

Duke kthyer kokën pas, padiskutim që ka shumë arsye për të qenë krenar ku jemi sot. Na u desh të bënim 2 ndërhyrje shumë radikale, për të siguruar marrjen e një kthese të domosdoshme në kushtet ku prerja e paligjshme e pyetje, gjuetia e paligjshme ishin bërë plagë reale që zgjeroheshin mbi trupin e natyrës.

Sot mund të shohim me krenari rezultatet e dy moratoriumeve që u panë me shumë dyshim.Zonat e mbrojtura në Shqipëri ishin nën agresionin e vazhdueshëm të ndotjeve, të ndërtimeve të paligjshme”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›