E Hënë, 2 Nëntor 2026

Regjisori Michael Mann plagoset aksidentalisht në një poligon qitjeje në Los Angeles - ATSH -

LOS ANXHELE, 1 nëntor 2026 – Regjisori i njohur amerikan Michael Mann është dërguar në spital pasi ka qëlluar aksidentalisht veten në këmbë gjatë një seance stërvitore në një poligon qitjeje në Los Angeles, raportojnë mediat amerikane.

Sipas raportimeve, incidenti ndodhi të shtunën, më 31 tetor, rreth orës 16:00, teksa Mann po përpiqej të fuste armën në këllëf. Arma u shkrep aksidentalisht, duke e plagosur në këmbë. Regjisori u transportua me ambulancë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Sipas raportimeve që i referohen autoriteteve lokale, ngjarja u konsiderua aksidentale. Deri në publikimin e lajmit, nuk kishte informacion të konfirmuar mbi gjendjen e tij shëndetësore pas trajtimit.

Michael Mann, 83 vjeç, është një nga regjisorët më të njohur të kinemasë amerikane, me një karrierë disa dekadash. Ai ka drejtuar filma të vlerësuar si Heat, The Insider dhe Collateral, duke u dalluar veçanërisht për filmat kriminalë dhe thrillerët me tension të lartë dramatik.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›