“Reporterët pa Kufij” publikojnë raportin mbi lirinë e medias, reagon opozita

TIRANË, 30 prill /ATSH/ “Reporterët Pa Kufij” publikuan raportin mbi lirinë e medias në Shqipëri e cila renditet në vendin e 83.
Raporti evidenton se në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak.
Sa i përket peizazhit mediatik, raporti evidenton se “media më me ndikim e sektorit privat në Shqipëri është në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me botën politike në sektorë shumë të rregulluar si ndërtimi”.
Duke ju referuar kornizës ligjore, Raporti thekson se “edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme. Si pasojë e disa vendimeve gjyqësore të diskutueshme, mediave u është ndaluar të raportojnë për çështje të ndjeshme me interes publik. Vendimi i qeverisë për të bllokuar TikTok në vitin 2025 është vlerësuar si shkelje e lirisë së shprehjes dhe të shtypit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë”.
Raporti gjithashtu nënvizon se “edhe pse i paplotë, dekriminalizimi i shpifjes pritet të jetë i dobishëm për lirinë e medias”.
Në kontekstin ekonomik “pronësia e pjesës më të madhe të peizazhit mediatik shqiptar është e përqendruar në duart e vetëm katër ose pesë kompanive”.
Sa i përket kontekstit social-kulturor, në raport evidentohet se “gazetaret, të cilat përbëjnë shumicën e këtij profesioni, përballen me ngacmime në internet dhe në disa raste diskriminim në bazë gjinore brenda kompanive mediatike, megjithëse ka pasur përparim në këtë fushë”.
Sipas raportit, autocensura është e përhapur, por mediet megjithatë kanë krijuar një platformë për vetërregullim etik, të parin e këtij lloji në Shqipëri.
Në lidhje me raportin e Reporterëve pa Kufij, reagoi edhe opozita. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën tha se “rënia me tre vende e Shqipërisë në renditjen e Reporterëve pa Kufij për lirinë e medias është një kambanë alarmi”.
Zhupa nënvizoi më tej se “dëmi që kjo qeveri po i shkakton lirisë së medias është i thellë dhe afatgjatë: dobëson demokracinë, minon transparencën dhe i heq qytetarëve të drejtën për të qenë të informuar”.
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, nënvizoi se “kjo është pasojë direkte e presionit politik, ekonomik dhe institucional ndaj mediave dhe gazetarëve”.
Sipas saj ndërhyrja politike në media mbetet ndër më të lartat në Europë dhe rajon.
“Po ashtu, janë depozituar amendamente për dekriminalizimin e shpifjes, në përputhje me standardet europiane. Sepse liria e medias nuk mbrohet me fjalë. Ajo mbrohet me ligj, me vullnet politik dhe me përgjegjësi”, nënvizoi Tabaku.
/m.q/a.f/r.e/