E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshje shiu dhe breshër në Elbasan, stuhia prek dhe Librazhdin e Përrenjasin

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Reshjet intensive të shiut dhe breshërit që përfshinë qytetin e Elbasanit gjatë pasdites krijuan vështirësi të përkohshme në disa zona të qytetit.

Sipas medieve reshjet intensive kanë sjellë grumbullim uji në disa akse rrugore, ndërsa moti i paqëndrueshëm ka prekur fshatrat përreth, por edhe bashkinë e Librazhdit dhe Përrenjasit.

Menjëherë pas nisjes së reshjeve, strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe shërbimet e Bashkisë Elbasan dolën në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku ishte e nevojshme.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ndoqi nga afër situatën së bashku me ekipet në terren, duke koordinuar ndërhyrjet për normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes.

Sipas të dhënave të Emergjencave Civile, në një interval prej rreth 38 minutash u regjistruan rreth 40 mm reshje shiu të shoqëruara me breshër. Në disa raste pati përmbytje të bodrumeve dhe rrëzim të disa pemëve, ndërsa ekipet zjarrfikëse ndërhynë menjëherë për eliminimin e problematikave dhe rikthimin e normalitetit.

Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa strukturat e Bashkisë vijojnë të monitorojnë çdo zonë të prekur.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kishte paralajmëruar më herët për përkeqësim të kushteve atmosferike, me reshje shiu me karakter lokal, shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe breshër, kryesisht në zonat veriore dhe lindore të territorit.

Ndërkohë, për shkak të përkeqësimit të motit në det, kapiteneritë e Porteve Vlorë dhe Sarandë kanë vendosur ndalimin e daljes në det të hapur për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit deri në orën 06:00 të 25 korrikut.

Kufizimi prek mjetet që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, si dhe në zonat Dhërmi–Himarë, Borsh dhe Ksamil, ku parashikohen erëra të forta dhe dallgë deri në 3,5 metra.

Institucionet e linjës vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve dhe të respektojnë njoftimet për kushtet atmosferike.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›