Rezarta Smaja konkurron me “Balukeprera” në Festivalin e Këngës: Një nga eventet më të bukura të muzikës shqiptare

Rezarta Smaja rikthehet këtë vit në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Balukeprera”. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Në kohë reale”, nën moderimin e Flori Gjinit, artistja ndau më shumë detaje mbi pjesëmarrjen e saj të radhës dhe emocionet që e shoqërojnë çdo vit.
“Është e teta radhë që marr pjesë në Festivalin e Këngës. E dashuroj Festivalin. Së pari, është një nga eventet më të bukura të muzikës shqiptare. Së dyti, magjia që të jep orkestra nuk ta jep asnjë event tjetër,” u shpreh Smaja.
Këtë vit, këngëtarja vjen në bashkëpunim me kompozitorin Sokol Marsi, me të cilin tha se ka krijuar menjëherë një lidhje të fortë me këngën “Balukeprera”.
“Hera e tretë që bashkëpunoj me Sokol Marsin. Ai e njeh shumë mirë vokalin dhe natyrën time muzikore. Që në momentin e parë që e dëgjova këngën, mendova se kjo ishte kënga që ai e kishte ruajtur posaçërisht për mua. Më mori në telefon dhe ma ofroi. Ne artistët jemi gjithmonë pak skeptikë në fillim, sepse mendojmë si do reagojmë nëse nuk na pëlqen materiali. Por që në dëgjimin e parë e ndjeva që kjo këngë do të ishte e imja për këtë festival”, tha ajo.
Smaja theksoi se për të, rëndësi kryesore ka realizimi i bukur artistik, ndërsa çmimet vijnë më pas.
“Kënga është simbolika e gruas së fortë shqiptare,” përfundoi ajo, duke zbuluar kështu edhe mesazhin kryesor të “Balukeprera”.
/rtsh.al/