E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rezoluta e PE, Dule: Kritika për zgjedhjet dhe respektimin e pakicave

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), deputeti Vangjel Dule, nga Kryesia e Kuvendit foli në lidhje me rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë. Dule kritikoi pabarazinë që, sipas tij, u shfaq në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Së pari, kryefjala nuk mund të ishte tjetër veç zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe refreni si i rezolutës, dhe i gjithë debatit ishte mungesa e barazisë në zgjedhje. Termi tashmë i mirënjohur që në 12 maj, me raportin paraprak të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, që konstatonte mungesën e barazisë, mungonte barazia. Kur mungon në një proces barazia, a mund të jetë produkti i këtij procesi i barabartë dhe i pranuar? A mund të jetë legjitim? Në fund të fundit janë pyetje që nuk janë retorike. Si mund të ishin të pranueshme zgjedhjet e 11 majit, në kushtet e një pabarazie të konstatuar nga të gjithë aktorët dhe faktorët vendas dhe të huaj?”, tha Dule.

Dule u ndal gjithashtu dhe te respektimi i minoriteteve në Shqipëri.

“Kur bëhen dy vite nga censi, nuk kemi ende rezultatet e detajuar për çdo njësi administrative në lidhje me praninë e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Është domosdoshmëri dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe që krahas reformave të tjera në vendin tonë, të domosdoshme për përafrimin me realitetet evropiane, duhet gjetur forma në bashkëpunim të ngushtë në klimë mirëbesimi dhe në mekanizma të gjithëpranuara në juridiksionin e Këshillit të Evropës të përcaktohen se cilat janë hapësira ku jetojnë tradicionalisht dhe në numër të konsiderueshëm pjesëtarët e komuniteteve etnike”, tha Dule.

Kreu i PBDNJ-së ngriti shqetësimin edhe për pronat e minoriteteve, ku theksoi se kërkohet një moratorium që, pa u dhënë zgjidhje çështjes së pronave, të ndërpritet çdo leje abuzive në hapësirat me status ende të papërcaktuar ligjërisht.

“Çështja e pronave është emergjente që qeveria të heqë dorë nga praktikat e mostrajtimit të çështjes së pronave, të lënies së tyre pezull, sidomos në zonat bregdetare, me qëllim që t’i shndërrojë ato në objekt të aferave klienteliste të qeverisë, kryeministrit dhe oligarkëve. Është momenti që kërkohet në moratorium që pa u dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave, të ndërpritet çdo dhënie leje abuzive në hapësirat me status ende të papërcaktuar ligjërisht”, tha Dule.

/m.q//a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›