SHBA – Trump: Administrata amerikane ka “vrullin” për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua sot me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas dyerve të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë, pasi foli me gazetarët rreth një sërë temash në lidhje me luftën Ukrainë-Rusi, sipas CNN.
Të dy udhëheqësit ishin mjaft komplimentues ndaj njëri-tjetrin. Zelensky e përgëzoi Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit në Lindjen e Mesme duke shtuar ky mund të ishte një “moment i rëndësishem” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump tha se ai dhe Zelensky kishin planifikuar të diskutonin për armet e reja që do t’i lejonin Ukrainës të godiste Rusinë në brendësi të territorit.
Presidenti amerikan tha se beson se mund “ta mbajë vrullin” e marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Gazës për të arritur me sukses – një përfundim të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Mendoj se kemi shumë vrull, shumë besueshmëri. Arritja e qëllimit në Lindjen e Mesme ishte shumë e rëndësishme. Askush nuk mendonte se mund të arrihej”, tha Trump.
“Ne e arritëm mjaft shpejt, pasi i diskutuam çështjet siç duhet”, shtoi ai.
Ja një përmbledhje e disa prej çështjeve kryesore që u thanë:
• Opinione mbi luftën: Presidenti nuk ofroi një këndvështrim nga ana e tij – nëse Ukraina do të duhej të lëshonte territor si pjesë e marrëveshjes se paqes me Rusinë, e fundit në një seri qëndrimesh të ndryshueshme mbi këtë çështje.
• Një tregti e mundshme armësh: Zelensky duket se sugjeroi një shkëmbim të dronëve ukrainas me raketat amerikane “Tomahawk” – duke thënë se Ukraina kishte mijëra dronë, por asnjë nga raketat me rreze të gjatë veprimi.
Presidenti amerikan paralajmëroi se armët mund të nënkuptonin një “përshkallëzim” dhe se ai do të preferonte që lufta të mbaronte.
• Për Rusinë: Trump pranoi se presidenti rus, Vladimir Putin mund ta angazhojë atë në një përpjekje për të fituar kohë për të përfunduar qëllimet e tij të luftës në Ukrainë.
Ai tha se do të ishte vetëm SHBA-ja dhe Rusia që do të takoheshin në Budapest, Hungari, dhe se SHBA-ja do të ishte në kontakt me Zelensky.
• Mesazhi i Ukrainës për takimin Trump-Putin: Garancitë dypalëshe të sigurisë për Ukrainën janë gjëja më e rëndësishme për njerëzit në Ukrainë”, tha Zelensky – duke shtuar se për çdo marrëveshje, ai do të duhej të takohej me Putinin dhe se duhej të arrihej një armëpushim.
“Ne duam paqe, Putini nuk e do kete. Kjo është arsyeja pse na duhet të ushtrojmë presion mbi të”, tha udhëheqësi ukrainas.
• Për bashkëpunimin: Zelensky tha se kompanitë amerikane të energjisë ishin të gatshme të ndihmonin Ukrainën pas sulmeve të fundit ruse në infrastrukturën energjetike të vendit. //a.i/