E Diel, 1 Nëntor 2026

“Riintegrimi social” mbështet të rinjtë në Memaliaj, 40 të rinj bëhen pjesë e nismës 6-mujore

Në Bashkinë e Memaliajt ka nisur zbatimi i programit “Riintegrimi Social”, një nismë që synon të mbështesë të rinjtë përmes këshillimit profesional, orientimit dhe përfshirjes së tyre në tregun e punës. 40 të rinj janë bërë pjesë e këtij programi 6-mujor, i mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe i zbatuar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Fokus i projektit është fuqizimi profesional dhe social i të rinjve, duke i ndihmuar ata të zbulojnë aftësitë dhe pasionet e tyre profesionale.

“Programi i riintegrimit social është një nga programet që e kemi pilotuar për herë të parë në qytetin e Gjirokastrës. Tashmë ka nisur si program në gjithë Shqipërinë dhe kemi nisur me 40 pjesëmarrës në bashkinë me Maliaj. 40 pjesëmarrës nga të cilët pjesa më e madhe janë të rinj”, deklaroi Marseda Xarba Drejtoreshë e Agjencisë Rajonale të Punësimit në Gjirokastër

Sipas Drejtoreshës së Agjencisë Rajonale të Punësimit në Gjirokastër Marseda Xarba , programi po krijon mundësi konkrete për të rinjtë e Memaliajt, duke i orientuar drejt trajnimeve dhe mundësive të punësimit. Ajo thekson se kjo nismë synon jo vetëm integrimin e të rinjve në tregun e punës, por edhe rritjen e besimit dhe aftësive të tyre sociale.

“Pas gjashtë muajve të gjithë pjesëmarrësit ë kanë mundësi të prezantohen me programe të tjera punësimi, por jo vetëm, edhe përpara 6 mujorit dhe secili nga ata shpërblehet me një pagesë minimale prej gati 10.000 lekë të reja”, tha ajo.

Programi “Riintegrimi Social” shihet si një mundësi e rëndësishme  për të rinjtë , duke kontribuar në fuqizimin e tyre dhe krijimin e perspektivave të reja për të ardhmen.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›