Nis në QSUNT aplikimi i injeksioneve parandaluese për verbërinë te bebet prematurë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Në Spitalin Francez në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka nisur nga sot aplikimi i injeksioneve parandaluese për verbërinë te bebet prematurë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MShMS) njofton se ky injeksion do të aplikohet edhe te foshnjat me probleme të lindura të shikimit, ndërsa theksohet se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e kujdesit shëndetësor për më të vegjlit, që në ditët e para të jetës.
Sipas njoftimit të MShMS, përmes këtij trajtimi jetik, plotësisht të rimbursueshëm nga shteti, dhjetëra bebe kanë mundësinë të ruajnë dhe të rikuperojnë shikimin, duke parandaluar njëkohësisht komplikacionet e mëvonshme që mund të ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre.
Drejtoresha e përgjithshme e QSUNT-së, Anxhela Paparizo në takimin nga afër me grupin e mjekëve që do të kryejnë ndërhyrjen e parë te një foshnjë e porsalindur me probleme të shikimit, u shpreh se ky injeksion e shpëton fëmijën nga verbëria.
“Ky është një lajm shumë i mirë për prindërit, pasi kur lindin bebet prematurë, të cilët u ofrohet kjo risi kanë mundësinë që t’i trajtojnë fëmijët e tyre. Jo mund ta trajtojnë, por e kanë falas me rimbursim nga shteti. Nëse do të kapen kaq herët sa e kap shërbimi jonë, mundësia për rikuperim total është 100%”, tha Paparizo.
Ky shërbim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së standardeve të kujdesit shëndetësor për më të vegjlit dhe garantimit të aksesit në trajtime të specializuara për të gjitha kategoritë.
/e.i/a.f/r.e/