E Diel, 1 Nëntor 2026

Rijetësimi i Kalasë së Shkodrës, Gonxhja: Hapësirë e gjallë kulturore dhe turistike

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore po hyn në një fazë të re zhvillimi përmes projektit “Rijetësimi i Kalasë së Shkodrës”, një investim i financuar nga BERZH dhe Bashkimi Europian, me zbatues Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci vizituan sot nga afër kalanë e Shkodrës. “Ky projekt synon transformimin e kalasë në një hapësirë të gjallë kulturore, turistike dhe edukative, duke përmirësuar infrastrukturën, aksesin dhe përvojën e vizitorëve, ndërkohë që ruan me rigorozitet vlerat historike dhe arkitektonike të saj”, tha Gonxhja. Gonxhja u shpreh se “në këtë kuadër, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për realizimin dhe zbatimin e këtij nënprojekti strategjik”. Projekti parashikon ndërhyrje në hapësirat e parkimit, sinjalistikë orientuese, si edhe restaurimin e muzeut të kështjellës, duke rritur cilësinë e shërbimeve për vizitorët. Gjatë 2025 kalaja e Shkodrës u vizitua nga rreth 178 mijë vizitorë. Ndriçimi i ri i instaluar i ka dhënë kalasë një pamje tërësisht të re, duke nxjerrë në pah madhështinë dhe vlerat e këtij siti arkeologjik, një prej simboleve më të rëndësishme të Shkodrës. 1 nga 16 /k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›