Rikonstruksioni i Spitalit të Traumës, punimet nuk pengojnë funksionimin e shërbimeve mjekësore

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Procesi i rikonstruksionit në Spitalin Universitar të Traumës po vijon për të krijuar ambiente më kushte optimale, më të sigurta për ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor ndaj çdo qytetari.
Në një njoftim për mediet, Spitali Universitar i Traumës siguron qytetarët se punimet për rikonstruksionin në disa pjesë të godinës, nuk do të ndikojnë në funksionimin e shërbimeve tona mjekësore.
Sipas SUT, stafi mjekësor dhe të gjitha strukturat për pritjen, trajtimin dhe akomodimin e pacientëve të traumës dhe politraumës do të vijojnë të operojnë normalisht, me kapacitet të plotë dhe pa asnjë pengesë në aksesimin e shërbimit.
Në njoftim thuhet se rikonstruksioni i ambienteve të SUT është pjesë e punës së vazhdueshme për të garantuar një shërbim sa më cilësor dhe në përputhje me standardet bashkëkohore në shëndetësi.
Rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës do të sjellë kushte më të mira për pacientët dhe familjarët e tyre, infrastrukturë më efikase për stafin mjekësor dhe salla modern pritjeje dhe trajtimi.
Ky transformim është një investim për të ardhmen e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, duke garantuar një ambient dinjitoz për çdo qytetar që ka nevojë për shërbime traumatologjike.
Sipas planit të rikonstruksionit të godinës, me financim nga buxheti i shtetit, është parashikuar një rikonstruksion i ambienteve duke krijuar ambiente të përshtatshme me një funksionim dinjitoz dhe me standardet më të mira ndërkombëtare për godina si Spitali Universitar i Traumës.
/e.i/r.e/a.f/