Rinasi me 10 destinacione të reja, Kumbaro: Më pranë bashkatdhetarëve në diasporë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kompania ajrore “Ryanair” ka shtuar 10 linja të reja që do të lidhin Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) me qytetet europiane.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila vlerësoi se ky hap “do të shtojë flukset e vizitorëve duke na afruar më pranë me bashkëatdhetarët në diasporë”.
“Shumë shpejt, nga Tirana International Airport në Birmingham, Dublin, Milano, Malta, Napoli, Pescara, Poznan, Trieste, Torino dhe Verona, duke shtuar flukset e vizitorëve dhe duke na afruar më pranë me bashkëatdhetarët në diasporë”, u shpreh Kumbaro.
Kompania e fluturimeve “Ryanair” ka nisur fluturimet në Shqipëri prej 31 tetorit 2023, fillimisht me 17 destinacione.
Ndërkohë hapja e bazës së re të kompanisë ajrore “Ryanair”, e cila pritet të nisë operimet në prill 2026 në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) do të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës ajrore dhe turizmit në Shqipëri.
Në bazën e re do të stacionohen tre avionë Boeing 737-800, të cilët do të operojnë fluturime drejt 10 destinacioneve të reja.
Krahas destinacioneve të reja, “Ryanair” do të rrisë edhe frekuencat në linjat ekzistuese më të kërkuara, duke sjellë një rrjet total prej 33 destinacionesh në 13 shtete të ndryshme.
/m.m/j.p/r.e/