E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANKARA – Turqia i ofron Sirisë mbështetje ushtarake

ANKARA, 15 gusht /ATSH-/ – Turqia do të sigurojë armë, pajisje ushtarake dhe mbështetje logjistike për Sirinë nën një marrëveshje të re mbrojtjeje, thanë zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë, sipas “Euronews” .

Njoftimi erdhi nj ditë pasi ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler, dhe ministri i Mbrojtjes i Sirisë, Murhaf Abu Qasra, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në trajnimin ushtarak dhe konsulencën, duke forcuar mbështetjen e Turqisë për qeverinë e përkohshme të Sirisë.

Muajin e kaluar, Siria kërkoi mbështetjen e Turqisë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse pas dhunës sektare në vend, që gjithashtu çoi në ndërhyrjen e Izraelit.

Nën këtë marrëveshje, Turqia do të ndajë “njohuritë dhe përvojën” e saj dhe do të furnizojë pajisje ushtarake, sisteme armësh dhe materiale logjistike për të ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të vendit, thanë zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë.

Qeveria e përkohshme e Sirisë ka përballur sfida të shumta në rivendosjen e rendit pas pothuajse 14 vjet lufte civile, pas largimit të ish-presidentit Bashar al-Asad në dhjetor nga forcat rebele të udhëhequra nga islamistët.

Së fundmi, qindra persona u vranë në përleshje në provincën jugore Suwayda midis forcave qeveritare dhe fiseve lokale beduine nga njëra anë dhe luftëtarëve të pakicës Druze nga ana tjetër.

Turqia ka qenë mbështetëse e administratës së re të Sirisë, e formuar kryesisht nga rebelët që Ankara i mbështeti gjatë luftës civile.

Javën e kaluar, përfaqësues të grupeve të ndryshme etnike dhe fetare të Sirisë mbajtën një konferencë në Hassakeh dhe kërkuan formimin e një shteti të decentralizuar dhe hartimin e një kushtetute të re që garanton pluralizëm fetar, kulturor dhe etnik.

Qeveria siriane kritikoi këtë takim dhe pretendoi se disa pjesëmarrës kishin qëllime separatiste.

Si rezultat, ajo tashmë nuk ka ndërmend të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara me SDF në Paris, të cilat ishin dakorduar në fund të korrikut. Ende nuk është caktuar një datë për këto bisedime. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›