E Hënë, 2 Nëntor 2026

HAGË – Rutte: E paimagjinueshme që Rusia të jetë në gjendje të tejkalojë NATO-n

HAGË, 24 qershor /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se është e paimagjinueshme që Rusia të arrijë të “prodhojë më shumë” se aleanca perëndimore e mbrojtjes, pasi ajo është gati të nënshkruajë një rritje masive të shpenzimeve të mbrojtjes.

“Ne duhet të bëjmë më shumë”, theksoi Rutte në një forum të industrisë së mbrojtjes përpara samitit të rëndësishëm të liderëve, në Hagë.

“Është thjesht e paimagjinueshme që Rusia, me një ekonomi 25 herë më të vogël se ajo e NATO-s, të jetë në gjendje të prodhojë më shumë dhe të armatoset më shumë”, theksoi shefi i NATO-s, Rutte.

“Ne duhet të shpenzojmë më shumë për të parandaluar luftën. Ne duhet ta fitojmë këtë luftë të re prodhimi”, shtoi ai.

Kohët e fundit, aleatët e NATO-s ranë dakord për objektiva të reja lidhur me rritjen më të madhe të riarmatimit që nga Lufta e Ftohtë – për të siguruar që aleanca të mund t’i rezistojë një sulmi të mundshëm rus.

Moska, në luftë me Ukrainën për më shumë se tre vjet, ka rritur masivisht prodhimin e saj të mbrojtjes, duke shkaktuar friknë se mund të jetë gati për një sulm në territorin e NATO-s brenda pak vitesh.

Udhëheqësit e NATO-s do të miratojnë zyrtarisht rritjen e shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen në të paktën 5% të prodhimit ekonomik në samit, me qëllim financimin e përmirësimeve të kapaciteteve të saj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›