E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Starmer: Irani dhe Izraeli t’i rikthehen armëpushimit

LONDËR, 24 qershor /ATSH-DPA/ – Izraeli dhe Irani duhet të rikthehen te armëpushimi i brishtë i ndërmjetësuar gjatë natës, tha kryeministri britanik Keir Starmer, mes një shkëmbimi të ri armiqësish në Lindjen e Mesme.

Dy vendet ndërluftuese kishin nënshkruar një marrëveshje armëpushimi të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Por, Izraeli pretendoi se Irani e shkeli marrëveshjen duke kryer sulme me raketa pasi ajo hyri në fuqi.

Shefat ushtarakë të Iranit e mohuan këtë, por u përballën me një sulm të ri të urdhëruar nga ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.

Trump bëri thirrje që Izraeli të tërheqë avionët e tij luftarakë dhe pretendoi se si ai ashtu edhe Irani “nuk e dinë çfarë po bëjnë”, ndërsa u nis për në samitin e NATO-s në Holandë.

Ndërkohë, ndërsa mbërriti në samit, Starmer bëri thirrje që armëpushimi të respektohet.

“Dua që armëpushimi të vazhdojë dhe për këtë arsye, natyrisht, sa më shpejt të kthehemi te kjo aq më mirë dhe ky është mesazhi që po diskutoj me udhëheqës të tjerë sot’’, u tha ai gazetarëve.

“Kemi një armëpushim. Duhet të kthehemi te ai armëpushim, i cili është në përputhje me atë që kam thënë për uljen e tensioneve për një kohë të gjatë tani”, shtoi ai.

Zyra e Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar po i jepte përparësi rikthimit të Iranit në bisedime për të rënë dakord për një zgjidhje të qëndrueshme.

“Prioriteti ynë tani është një zgjidhje diplomatike, prandaj kryeministri i ka kërkuar Iranit të kthehet në tryezën e negociatave në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”, tha një zëdhënës./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›