E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Marrëveshja për armëpushim në Gazë mund të jetë afër, pas propozimit të ri të SHBA-së

TEL AVIV, 29 maj /ATSH-DPA/- I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, ka paraqitur një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës – që përfshin lirimin e 10 pengjeve, sipas medias izraelite.

Sipas planit të ri, pengjet do të lirohen në dy grupe brenda një jave.

Grupi ekstremist palestinez Hamas do të duhet gjithashtu të dorëzojë trupat e 18 të rrëmbyerve që mbahen ende në Gazë. Do të dorëzohen edhe trupat e 180 palestinezëve.

Në këmbim do të lirohen, 125 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1 111 banorë të Gazës që janë mbajtur në burgjet izraelite – që nga sulmet terroriste të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

“Armëpushimi dymujor do të lehtësojë negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund konfliktit pothuajse 20-mujor”, sipas raportimeve.

Nëse Izraeli dhe Hamasi arrijnë një marrëveshje, pengjet e mbetura në Gazë do të lirohen sipas propozimit të fundit.

Propozimi përcakton gjithashtu që shpërndarja e ndihmave në Rripin e Gazës të drejtohet sërish nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës.

Sipas propozimit, ushtria izraelite do të tërhiqet në pozicionet që mbante para fillimit të ofensivës së fundit në mars.

Sipas burimeve izraelite, të paktën 20 pengje janë ende gjallë në Rripin e Gazës.

Fati i tre personave të tjerë të rrëmbyer është i paqartë, ndërsa trupat e 35 të rrëmbyerve besohet se mbahen në zonën bregdetare të izoluar.

Witkoff shprehu optimizëm dje në Shtëpinë e Bardhë – në lidhje me një armëpushim të mundshëm në luftën e Gazës.

Ai u tha gazetarëve se kishte pritshmëri për një armëpushim dhe një zgjidhje paqësore afatgjatë të konfliktit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›