E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Sekretari i Thesarit akuzon Kinën për dëm global

UASHINGTON, 14 tetor /ATSH-AFP/ – Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përshkallëzuar sërish, pasi sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent** akuzoi Pekinin se po përpiqet të “dëmtojë ekonominë botërore”.

Në një intervistë për “Financial Times”, Bessent kritikoi vendimin e Kinës për të vendosur kontrolle të reja mbi eksportet e minerale të rralla, duke thënë se kjo tregon dobësinë e ekonomisë kineze:

“Ata duan të tërheqin poshtë gjithë botën me vete. Ndoshta mendojnë sipas një modeli leninist të biznesit, ku dëmton klientët e tu, por si furnizuesi më i madh në botë, në fund do ta pësojnë vetë”,  deklaroi ai.

Komentet e Bessent vijnë vetëm pak ditë pasi presidenti Donald Trump kërcënoi me tarifa 100% ndaj importeve kineze, ndërkohë që përpiqet të ulë tonet përpara një takimi të mundshëm me presidnetin kinez Xi Jinping në fund të tetorit në Korenë e Jugut.

Ndërkohë, Kina njoftoi masa “hakmarrëse” ndaj interesave amerikane në transport detar, duke ndaluar kompanitë dhe individët kinezë të bëjnë biznes me pesë njësi amerikane të grupit “Hanwha Ocean”, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të aksioneve në tregjet aziatike./Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›