E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristrukturimi i IKMT-së, mjedisi vendoset si prioritet me ndikim në integrimin evropian, Qendro: Ndërhyrje proaktive në terren për të evidentuar zonat e nxehta

Parandalimi i shkeljeve ligjore në fushën e mjedisit dhe inspektimi intensiv i territorit kanë qenë në qendër të një takimi institucional të zhvilluar sot me drejtuesit rajonalë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe përgjegjësit e sektorit mjedisor. Gjatë këtij takimi, fokus i veçantë iu dedikua rritjes së monitorimit dhe ndryshimit të strategjisë operative në terren.

Në kuadër të këtij procesi ristrukturimi, u prezantua edhe drejtuesi i ri i institucionit, Ersid Hasanllari, duke shënuar kështu një fazë të re në qasjen institucionale ndaj krimeve mjedisore. Sfidat e reja lidhen drejtpërdrejt me reformat e kërkuara nga procesi i anëtarësimit të vendit në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Parandalimi i shkeljeve ligjore në fushën e mjedisit ishte fokus i takimit të sotëm me drejtuesit rajonal të IKMT-së dhe përgjegjësit e sektorit të mjedisit. Theksova nevojën për një ritëm krejt të ri pune në kushtet kur mjedisi kthehet në një çështje kryesore prioritare edhe në funksion të mbylljes së kapitujve në negociatat midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Ndërhyrëse, Afrim Qendro.

Në linjë me këtë strategji të re, strukturave rajonale u është kërkuar të braktisin qasjen pasive dhe të kalojnë në operacione zbuluese përpara se dëmet mjedisore të bëhen të pakthyeshme. Fokusimi tek “zonat e nxehta” ku operojnë subjekte me risk të lartë ndotjeje do të jetë hapi i parë i këtij plani operacional.

“Prezantova drejtorin e ri Ersid Hasanllari dhe insistova për ndërhyrje proaktive në terren për të evidentuar zonat e nxehta dhe për të marrë masa të menjëhershme e të forta ndaj çdo subjekti që cënon mjedisin”, nënvizoi më tej Qendro në lidhje me udhëzimet e reja të lëshuara për strukturat e inspektimit.

Ky shtim i masave ndëshkimore dhe administrative pritet të paraprijë një valë kontrollesh të imtësishme ndaj industrive dhe bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në akset kryesore dhe zonat e mbrojtura të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›