E Martë, 3 Nëntor 2026

Rivitalizimi i industrisë së mbrojtjes, Abrazhda: Shqipëria gati për eksport në vitin 2032

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda shprehu bindjen se në vitin 2032 Shqipëria mund të jetë gati për të eksportuar materiale të industrisë së mbrojtjes.

E ftuar sot në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, Abrazhda tregoi se vjen nga një eksperiencë 25-vjeçare studimesh e pune në Itali, SHBA dhe Lindjen e Mesme, kryesisht e fokusuar tek industria e mbrojtjes.

E pyetur nga kryeministri mbi problematikat që evidenton në këtë fushë në Shqipëri dhe sugjerimet e saj, Abrazhda theksoi rëndësinë e faktit se Shqipëria e ka kuptuar që duhet të bëjë një industri mbrojtje.

“A jemi afër apo larg? Ne ende duhet të kuptojmë se ku i kemi limitet. Duhet të jemi më bashkëpunues dhe t’i ndajmë qëllimet, se nuk mund të ketë 10 prioritete në të njëjtën kohë. Nuk mund ta industrializosh Shqipërinë sot në të gjitha mjetet e mundshme. Kemi një, dy, tre qëllime, përhapja shumë e madhe është ngatërresë dhe mungesë fokusi”, tha ajo.

Sipas Abrazhdës, industrializimi fillon me gjëra të vogla dhe sot industria e mbrojtjes është e ndërvarur nga të gjitha shtetet, është shumë komplekse.

“Duhet të jemi më mendje hapur ndaj ideve që marrim. Shqipëria është në një pozitë të mirë sepse është vendi i fundit në Europë që është kaq e hapur të mirëpresë të tjerët dhe është vend i NATO-s. Siguria është në vëmendje të madhe. Jemi në rrugën e duhur dhe besoj se Shqipëria 2032 do të ishte gati për eksport në ato gjëra që mund t’i bëjmë ne mirë”, tha ajo.

Kryeministri theksoi faktin se në këtë fushë Shqipëria ka avantazhin e madh se niset nga një përvojë e mëparshme në këtë fushë.

“Por të nisesh nga mbrapa dhe të jesh i vetëdijshëm ku do të shkosh është avantazh, sepse ndërkohë nuk ke ngarkesa të mëparshme, nuk je i kondicionuar nga një stok gjërash që i ke aty. Ne nisemi nga mbrapa dhe mund ta bëjmë në nivelin më të lartë që është sot, jo të rrimë të riparojmë. Ka vende të tjera në rajon me industri mbrojtje shumë të zhvilluar krahasimisht me ne që e zhdukëm atëherë, por që një pjesë të madhe e kanë të vjetër. Ne me të gjitha partneritete që po ndërtojmë edhe për shkak të politikës që kemi zhvilluar dhe miqësisë që kemi në anë të ndryshme po bëjmë diçka shumë pozitive”, tha Rama.

Kryeministri komentoi edhe deklaratat pas vizitës së tij në Izrael, ndërsa shtoi se qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me konfliktin Izrael – Palestinë ka qenë gjithmonë i qartë, ndarja në dy shtete.

“Pashë disa reagime për vizitën time në Izrael, nderimin tim. Ai nderim ishte për popullin shqiptar dhe reagimet ishin të shumta. Ne e kemi bërë shumë qartë edhe kur ka ardhur puna te Këshilli i Sigurimit dhe Kombet e Bashkuara në tërësi, ne kemi mbajtur gjithmonë qëndrimin që nuk ka qenë njëlloj me qëndrimet e Izraelit. E kemi përsëritur që duam dy shtete. Por, ama, partneriteti me Izraelin sot është strategjik më shumë se çdo herë tjetër për sigurinë dhe gjithçka mund të përfitojmë prej tyre në ngritjen e industrisë së mbrojtjes. Në ka një fushë që janë numër një dhe pastaj vijnë të tjerët, këtu është Izraeli”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›