E Martë, 3 Nëntor 2026

Policia e Shtetit, arrestohen dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Policia e Shtetit arrestoi sot dy persona me rrezikshmëri shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje të rëndë.

Sipas Policisë, këto arrestime u kryen në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Policia e Shtetit, në kuadër të fazës “Operacionalja 39”, arrestoi Klodian Llomi (Mazari), 34 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.

Ndërsa në kuadër të fazës “Operacionalja 40′, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Roland Ibrahimi, alias Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç.

Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2024, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Grup kriminal”, dhe “Vjedhje e rëndë”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.

Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›