Rregullat e ndarjes së mbetjeve nisin nga qytetarët, bashkitë do të sigurojnë kontejnerët e posaçëm

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin e ri që detyron bashkitë të nisin grumbullimin e diferencuar në burim.
Ky vendim vjen pas miratimit vitin e shkuar të ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, i cili synon kalimin drejt ekonomisë qarkulluese dhe reduktimin e mbetjeve që përfundojnë në landfille.
Sipas relacionit shpjegues të projektvendimit synimi kryesor është reduktimi drastik i sasisë së mbetjeve që përfundojnë në landfille dhe rritja e nivelit të riciklimit. Dokumenti shfuqizon një vendim të ngjashëm të vitit 2014, duke vendosur rregulla, afate dhe objektiva shumë më të rrepta.
Grumbullimi i diferencuar nuk do të jetë i njëtrajtshëm, por do të përshtatet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Bashkitë duhet të hartojnë grafikët dhe oraret e grumbullimit, duke marrë në konsideratë: dendësinë e popullsisë së zonës, llojin e rrymës së mbetjeve, infrastrukturën dhe kushtet teknike ekzistuese.
Synimi sipas këtij projektvendimi të hedhur për konsultim publik është që sasia e mbetjeve që riciklohen të rritet gradualisht, nga 25% që është minimalja e parashikuar, deri në vitin 2030 të arrihet në 65% deri në vitin 2045.
Ndryshimi më i madh që do të prekë përditshmërinë e qytetarëve është detyrimi për t’i ndarë mbetjet sipas fraksioneve të tyre. Letra, kartoni, qelqi, metali, plastika dhe mbetjet organike (bio) nuk do të mund të hidhen më në një kosh të vetëm.
Për këtë qëllim, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të duhet të sigurojnë kontejnerë dhe pajisje të posaçme, të cilat do të jenë të standardizuara sipas ngjyrave dhe etiketave të njohura në të gjithë Evropën.
Kjo masë synon të parandalojë përzierjen e mbetjeve të riciklueshme me ato të pariciklueshme, duke ruajtur cilësinë e materialeve për industrinë e riciklimit.
Për të matur suksesin e kësaj nisme, qeveria ka vendosur një kalendar afatgjatë me objektiva të qarta për riciklimin dhe përgatitjen e mbetjeve për ripërdorim. Shqipëria synon të riciklojë: 25% të mbetjeve deri në vitin 2030; 50% deri në vitin 2033; 55% deri në vitin 2035; 60% deri në vitin 2040; 65% deri në vitin 2045.
Ndërkohë, mbetjet elektronike dhe bateritë do t’i nënshtrohen një regjimi të veçantë juridik, bazuar në parimin e “përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit”.
Operatorët privatë të menaxhimit të mbetjeve do të detyrohen të raportojnë çdo datë 15 shkurt pranë bashkive për sasitë dhe llojet e mbetjeve të grumbulluara.
Më pas, bashkitë kanë afat deri më 28 shkurt për t’i dërguar këto të dhëna në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e cila në fund të muajit maj do të publikojë raportin vjetor kombëtar.
/k.s/j.p/r.e/