Krerët e partive opozitare nisin takimin me Osmanin

PRISHTINË, 6 mars/ATSH/ Udhëheqësit e partive politike opozitare, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës janë parë duke hyrë në Kuvendin e Kosovës për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani.
Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i partisë tjetër opozitare, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Osmani i ka ftuar krerët partiakë për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja, pas shpërndarjes së Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka sinjalizuar se nuk shkon në takim, pasi për të dekreti i Osmanit është jokushtetues dhe që atë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Haradinaj: Jemi në autopilot
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka konsideruar të drejtë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin.
“Ne tash veç jemi në autopilot, që i bie komandohemi nga Kushtetuta e vendit, nga afatet kushtetuese. Dekreti është rrjedhojë e këtyre afateve, është i drejtë dhe çdo aspekt tjetër i ecjes përpara duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës, afateve kushtetuese. Ne e respektojmë dekretin, e respektojmë si të tillë. Presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve po ashtu bazuar në këto afate kushtetuese. Çdo datë në afate kushtetuese është e respektueshme”, ka deklaruar Haradinaj për mediet.
Hamza: Vendimi i Osmanit, në përputhje me Kushtetutën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se beson që vendimi i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin është në përputhjen me rendin kushtetues.
Para takimit konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve, Hamza ka thënë se Kushtetuta duhet të respektohet plotësisht.
“Besoj që presidentja e ka marrë vendimin në përputhje me rendin kushtetues, me Kushtetutën. Besoj dhe shpresoj që e ka analizuar mirë, megjithatë unë jam ithtar i asaj që të respektohet në plotni Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Në lidhje me datat eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve, Hamza ka thënë se do të shohin se cilat do të propozohen dhe do ta japin kontributin e tyre. /REL/