E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrëzimi i Air India, regjistrimet në kabinë sugjerojnë se piloti ndërpreu furnizimin me karburant të motorëve

Një regjistrim në kabinën e Air India, që ka kapur një dialog midis dy pilotëve të avionit që u rrëzua muajin e kaluar, mbështet hipotezën se piloti ndërpreu furnizimin me karburant të motorëve të avionit. Reuters, teksa citon një burim, shkruan se piloti i parë ishte në kontroll të avionit Boeing 787 dhe i kërkoi kapitenit të shpjegonte pse kishte lëvizur çelësat e karburantit në një pozicion që ndërpriste furnizimin e motorëve me karburant, duke i kërkuar gjithashtu që të rikthente rrjedhën e karburantit.

Byroja e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB), e cila po udhëheq hetimin për rrëzimin, tha në një deklaratë se hetimi ishte në vazhdim dhe se ishte shumë herët për të nxjerrë përfundime.

Shumica e aksidenteve ajrore shkaktohen nga faktorë të shumtë dhe sipas rregullave ndërkombëtare, pritet një raport përfundimtar brenda një viti nga një aksident.

Një raport paraprak i publikuar nga AAIB tha se një pilot u dëgjua në regjistruesin e zërit të kabinës duke pyetur tjetrin pse e ndërpreu karburantin dhe “piloti tjetër u përgjigj se nuk e bëri këtë”.

Raporti paraprak i AAIB tha se çelësat e karburantit kishin kaluar nga “rrjedhje” në “ndërprerje” një sekondë larg njëri-tjetrit menjëherë pas ngritjes, por nuk tha se si u zhvendosën.

Avioni me destinacion Londër filloi të humbiste fuqinë shtytëse dhe më pasi filloi të rrëzohej.

Çelësat e karburantit për të dy motorët u kthyen përsëri në “funksionim” dhe aeroplani u përpoq automatikisht të riniste motorët, thuhet në raport.

Por avioni ishte shumë i ulët dhe shumë i ngadaltë për të qenë në gjendje të rikuperohej, tha eksperti i sigurisë së aviacionit John Nance për Reuters.

Avioni u përplas me një kampus të kolegjit mjekësor, duke vrarë 19 njerëz në tokë dhe 241 nga 242 në bord.

Në një memo të brendshme të hënën, CEO i Air India Campbell Wilson tha se raporti paraprak nuk gjeti defekte mekanike ose mirëmbajtjeje dhe se të gjitha mirëmbajtjet e kërkuara ishin kryer.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›