E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrëzohet interpelanca e PD për Ramën për ankimimin në Kushtetuese, Bardhi: Kryeministri është kthyer në zyrë avokatie

Kuvendi rrëzoi me 17 vota pro dhe 74 kundër kërkesën e PD-së për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me ankimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se Kryeministri është kthyer në zyrë avokatie dhe se po ushtron presion në Gjykatën Kushtetuese.

“Në asnjë rast dhe për asnjë rast nuk është detyra jonë të shqyrtojmë kërkesën që kryeministri ka dërguar në Kushtetuesen. Interpelanca është bërë për të kërkuar ndërhyrje nga Rama në një çështje në hetim, për mbajtjen në detyrë të një zyrtari të marrë për pandehur për abuzim dhe ngritjen e pretendimeve që kërkesa ka dorëzuar në emër të Kuvendit, pa u konsultuar me Kuvendin.

Ju folët se duhet të presim vendimi i Kushtetueses. Çdo shqiptar e ka parë që Rama flet me veten tre herë në ditë për këtë çështje, si një formë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ai që flet vetëm për këtë shqetësim, i fshihet llogaridhënies në Kuvend”, tha Bardhi.

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi tha se Rama duhet të jap llogari në Kuvend se pse mban ende në detyrë një zyrtar që është në hetim për abuzim me tenderat.

“Kemi kërkuar që Rama të vijë dhe të japë llogari se cili është motivi që sot ka në kabinetin qeveritar numrin dy në hetim nga SPAK për abuzim me tendera. Është hera e parë në historinë e botës që kryeministri ndërhyn në një hetim dhe kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaluese ndaj të pandehurës Balluku.

Çfarë pune ka kryeministri që shndërron institucionin në një zyrë avokatie ndaj një të pandehuri. Pse duhet kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë?”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›