Rritet aktiviteti në ndërtim gjatë 2025, mbi 1 158 leje dhe 73,9 miliardë lekë investime

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Sektori i ndërtimit ka vijuar rritjen gjatë vitit 2025, si në numrin e lejeve të miratuara, ashtu edhe në vlerën e investimeve për ndërtesa dhe punime inxhinierike.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, në tremujorin e katërt të vitit 2025 janë miratuar 259 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe totale prej 340.477 metrash katrorë.
Vlera e investimeve për ndërtimet e reja ka arritur në rreth 15,47 miliardë lekë, ndërsa për rikonstruksionet në 735,4 milionë lekë.
Po ashtu, në të njëjtën periudhë janë miratuar punime inxhinierike me vlerë 2,61 miliardë lekë për ndërtime të reja dhe 608,9 milionë lekë për rikonstruksione.
Në total, vlera e përafërt e projekteve të miratuara në këtë tremujor kap shifrën 19,4 miliardë lekë.
Ndërtimet për banim përbëjnë peshën kryesore të lejeve të reja në tremujorin e katërt, me 200 leje dhe 237.132 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, si dhe me një vlerë investimi prej 11,34 miliardë lekësh për ndërtime të reja.
Brenda këtij grupi, rezidencat për komunitete zënë sipërfaqen më të madhe me 153.651 metra katrorë dhe rreth 7,24 miliardë lekë investim, ndërsa ndërtesat me tre ose më shumë kate përbëjnë 58.919 metra katrorë me rreth 3,07 miliardë lekë investim.
Për ndërtesat jo-rezidente u dhanë 59 leje me sipërfaqe 103.345 metra katrorë, ku përfshihen hotele, ndërtesa tregtare, industriale dhe objekte të tjera shërbimi, me një vlerë prej 4,13 miliardë lekësh për ndërtime të reja.
Në nivel vjetor, gjatë vitit 2025 janë miratuar gjithsej 1.158 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.304.606 metrash katrorë dhe një vlerë totale investimi prej 73,9 miliardë lekësh për ndërtesa dhe punime inxhinierike.
Ndërtimet për banim dominojnë tregun me 890 leje dhe 844.791 metra katrorë sipërfaqe, ndërsa ndërtesat jo-rezidente zënë 268 leje me 459.815 metra katrorë.
Të dhënat konfirmojnë se segmenti i banesave mbetet motori kryesor i zhvillimit në sektorin e ndërtimit, ndërkohë që investimet në infrastrukturë dhe objekte me funksion ekonomik vijojnë të mbështesin zgjerimin e aktivitetit ndërtimor gjatë vitit 2025.

/a.f/