Intensifikohen punimet në “Arrat e Gurrës”, ARRSH: Devijohet lumi Shkumbin, pritet të nisë ndërtimi rrugës alternative

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se në vijim të ndërhyrjeve në zonën “Arrat e Gurrës” po vijon puna intensive, përfshirë edhe gjatë orëve të natës, për pastrimin e sipërfaqes së trupit të rrugës së rrëshqitur dhe për marrjen e kampionëve gjeologjikë.
Sipas ARRSH-së, ndërkohë kanë përfunduar punimet për devijimin e lumit Shkumbin, një hap i rëndësishëm për stabilizimin e zonës dhe krijimin e kushteve për vijimin e ndërhyrjeve të mëtejshme inxhinierike.
ARRSH njofton se, pas përfundimit të rishikimit të projektit për këtë segment, pritet të nisin punimet për ndërtimin e trupit të rrugës alternative, me qëllim rikthimin e qarkullimit në këtë aks sa më shpejt të jetë e mundur.
Punimet po kryhen me mjete dhe personel të shtuar, duke respektuar të gjitha standardet teknike dhe të sigurisë rrugore.
ARRSH thekson se strukturat në terren janë angazhuar maksimalisht për të përshpejtuar procesin dhe për të garantuar një zgjidhje të qëndrueshme për këtë segment rrugor.
/e.xh/r.e/