Rritet fluksi i aplikimeve për pasaporta, ardhja e emigrantëve gjatë sezonit veror shton kërkesat

Me nisjen e sezonit veror dhe kthimin e emigrantëve për pushime në vendlindje, në zyrat e Gjendjes Civile në Kukës është rritur ndjeshëm numri i aplikimeve për dokumente biometrike.
Muaji qershor ka shënuar fluksin më të lartë të kërkesave, kryesisht për pajisje me pasaportë, si nga emigrantët, ashtu edhe nga qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit.
“Për sa i përket procesit të aplikimeve të pasaportave, zyrat e gjendjes civile janë në gadishmëri të plotë me stafin përkatës, janë reduktuar dhe lejet e zakonshme të stafit për shkak të ardhjes së emigrantëve që vijnë në Republikën e Shqipërisë, ndërrojnë pasaportat, kartat, pastaj janë ato procedurat që i bëjnë me të përshpejtuar brenda afateve kohore”, tha punonjësi i Gjendjes Civile në Kukës.
Përballë numrit të shtuar të aplikimeve, qytetarët po marrin shërbimin pa vonesa. Interesi mbetet i lartë si për procedurën normale, ashtu edhe për atë të përshpejtuar, në varësi të nevojave të secilit aplikant.
“Më shumë ka edhe për procedura të shpejta, por edhe njëkohësisht edhe normale sepse e llogarisin afatin kohor që është 14 ditë nga dita e aplikimit që e marrin dokumentin. Është kjo procedura tjetër tre deri në katër ditë për pasaportën e shpejtë që mund të vijë edhe para afateve”, tha ai.
Me rikthimin e emigrantëve gjatë verës, zyrat e Gjendjes Civile parashikojnë që kërkesat për pajisje me pasaportë dhe dokumente të tjera biometrike të mbeten të larta edhe gjatë muajve korrik dhe gusht.
/RTSH/