E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarri në Talë del jashtë kontrollit, flakët rrezikojnë bizneset pranë plazhit

Një vatër e re zjarri është shfaqur në zonën pranë plazhit të Tales, në Lezhë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe duke u përhapur me shpejtësi përgjatë vijës bregdetare.

Flakët janë favorizuar nga era e fortë, ndërsa sipas të dhënave paraprake, zjarri ka përfshirë një zonë të gjerë.

Në terren kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Lezhës, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Prania e kënetave mes plazhit dhe zonës së përfshirë nga flakët e bën të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrës së zjarrit.

Pranë zonës së prekur ndodhen disa struktura turistike dhe shërbimi, ndërsa ekipet zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se flakët avancojnë dhe rrezikojnë objektet përreth.

Situata vijon të mbetet problematike, pasi bimësia e dendur dhe era e fortë po favorizojnë përhapjen e zjarrit në një perimetër të gjerë, duke vështirësuar punën e forcave në terren.

Sipas specialistit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Zjarrfikës, Agustin Pepkolaj, prioritet i operacionit është mbrojtja e bizneseve dhe banesave pranë zonës së prekur, për të shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve dhe dëmet materiale.

“Situata mbetet problematike për shkak të erës dhe bimësisë së dendur, që favorizojnë përhapjen e flakëve. E gjithë vëmendja e forcave zjarrfikëse është përqendruar në mbrojtjen e bizneseve dhe banesave, me qëllim shmangien e rrezikut për jetën dhe pronën e qytetarëve”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›