Rritet huamarrja e qeverisë, forcohet leku
Qeveria do të emetojë 55 miliardë lekë Bono Thesari këtë muaj, gjë që pritet të forcojë lekun
Ankandi i 1 Korrikut grumbulloi 28.8 miliardë lekë borxhe për qeverinë
Rritja e fortë e kërkesës së qeverisë për borxh të brendshëm solli forcimin e monedhës vendëse, lekut në treg, një fenomen që pritet të vijojë përgjatë të gjithë muajit korrik. Leku u forcua kundrejt euros dhe dollarit gjatë ditëve të fundit, kryesisht si pasojë e operacioneve të bankave për të grumbulluar lekë për ankandin e Bonove të Thesarit të datës 1 korrik. Euro ra në 121.9 lekë, në kursin mesatar të publikuar nga BSH, kuota më e ulët që nga 14 maji. Euro është kuotuar gjatë muajit të fundit mbi 122 lekë, ndërsa para marsit ka qenë kuotuar mbi 123 lekë. Dollari ra në 77.1 lekë, kuota më e ulët në më shumë se një dekadë. Hera e fundit që dollari u shit e u ble me këtë vlerë në Shqipëri duhet të ketë qenë rreth vitit 1994. Rënia e djeshme e dollarit u shkaktua nga kombinimi i faktorëve të jashtëm me faktorë të brendshëm. Dollari ra ndjeshëm dje në tregun ndërkombëtar.
Ankandet e korrikut
Më 1 korrik, Banka e Shqipërisë kërkoi të grumbullonte në treg 29.6 miliardë lekë. Bankat ofruan 28.8 miliardë lekë, duke shënuar një nga ankandet e rralla kur kërkesa për borxh nuk plotësohet. Kjo gjë solli edhe rritje të interesave të bonove në krahasim me ankandin paraardhës. Gjatë këtij muaji, pritet që qeveria të emetojë edhe 25.5 miliardë lekë Bono Thesari, si dhe 3 miliardë lekë obligacione 2-vjeçare. Për pasojë, pritet që leku të ketë tendencë të përgjithshme forcimi gjatë të gjithë muajit. Gjatë korrikut në total, huamarrja do të rritet në 55.2 miliardë lekë, shifër kjo dy herë më e lartë sesa në qershor.
Shtimi i huamarrjes së brendshme i shërben qeverisë për të mbuluar shpenzimet e rritura për paga e pensione. Prej vitesh veprimtaria e qeverisë shkakton forcim të lekut gjatë verës. Megjithatë, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, leku ka qenë i dobësuar kundrejt euros në krahasim me vitin e kaluar dhe se 2008 mund të jetë viti i parë me zhvlerësim real të monedhës kombëtare kundrejt euros. Sipas një studimi të Mario Holzner, në Institutin e Kërkimeve Ekonomike të Vjenës, importi i lartë i energjisë elektrike në vitin 2007 solli dobësim të ndjeshëm të lekut. Sipas të dhënave, leku humbi 0.4% kundrejt euros në 2007, duke shënuar zhvlerësimin e parë në katër vjet. Importet e energjisë pritet të mbeten në nivele të larta edhe këtë vit, në një kohë që deficiti në rritje i llogarisë korrente nuk do të ndihmojë në vlerësimin e mëtejshëm të lekut në pjesën e dytë të vitit. Për këtë arsye, besohet se forcimi i lekut gjatë korrikut do të jetë një fenomen që nuk do të zgjasë gjatë.
FMN dështon në parashikimin e deficitit korrent
Ekspertët e FMN-së duket se kanë gabuar në parashikimin e tyre për deficitin llogarisë korrente të Shqipërisë për vitin e kaluar dhe sipas të gjitha gjasave, edhe për vitin 2008. Sipas të dhënave të Parashikimit të Ekonomisë Botërore, llogaria korrente e Shqipërisë duhej të kishte një deficit prej 8.3% të PBB-së në vitin e kaluar dhe 5.5% të PBB-së për këtë vit. Ndryshe nga parashikimi, deficiti i llogarisë korrente arriti në 11.5% për vitin 2007, ndërsa për tremujorin e parë të këtij viti, u përkeqësua më tej duke arritur në 12%.
Llogaria korrente përfaqëson sasinë e valutës së hyrë dhe të dalë në ekonomi. Ai është treguesi më i rëndësishëm i stabilitetit të vendit. Sipas vlerësimeve, Shqipëria mund të përballojë pa probleme makroekonomike deficit në nivelin 5% të PBB-së. Deficiti më i lartë nënkupton rrezikun e zhvlerësimit të lekut dhe destabilizimit ekonomik të vendit. Deficiti i lartë i vitit të kaluar u shkaktua nga importet e energjisë elektrike si dhe çmimeve të larta të ushqimeve e të naftës. Të njëjtat fenomene janë të pranishme edhe këtë vit.