"Zgjerimi me Ballkanin, pas Marrëveshjes së Lisbonës"
Shefi i diplomacisë franceze, Bernar Kushner deklaroi se zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian me vendet ballkanike do të jetë i mundshëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lisbonës nga 27 shtetet anëtare.
“Deri tek zgjerimi i BE-së duke përfshirë vendet e Ballkanit dhe vendet e tjera që duan të anëtarësohen do të vijë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lisbonës dhe jo para kësaj”, deklaroi Kushner, vendi i të cilit do të kryesojë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm me presidencën e BE-së.
Ai tha se është çështje kohe kur të gjitha vendet anëtare do të nënshkruajnë Marrëveshjen e Lisbonës. Kushner i bëri thirrje presidentit polak, Leh Kaçinski që të nënshkruaj këtë marrëveshje, pasi që e njejta është miratuar nga Parlamenti i Polonisë.
Presidenti francez, Nikola Sarkozi ka deklaruar gjithashtu se Franca dëshiron zgjerimin e BE-së me vendet ballkanike, por sipas tij, kjo do të jetë e mundur vetëm pas reformave të brendshme të institucioneve të BE-së dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Lisbonës nga vendet anëtare.(INA)