Vrau pa dashje kushëririn, burg pa afat
SHKODËR-Arrest në burg ka qenë masa e sigurisë së dhënë sot nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër për 23-vjeçarin, Gjergj Bujaj, i cili vrau me armë nga pakujdesia kushëririn e tij.
Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Ermira Dedja, i akuzuari për vrasje nga pakujdesia është paraqitur i tronditur, ndërsa në sallë ka qenë i pranishëm vetëm vëllai i tij. Prokurorja Marjana Shtjefni ka lexuar akuzën dhe ka treguar detajet e ngjarjes.
Petrit e Gjergj Bujaj, kushërinj të tretë mes tyre dhe mjaft shokë kanë qenë në një lokal në fshatin Selcë.
Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, Gjergj Bujaj ka nxjerrë pistoletën që ia kishte marrë pa dijeni babait të tij, efektiv i policisë pyjore dhe ja ka vënë në gjoks duke luajtur viktimës. Ky i ka kërkuar ta heqë nga dora duke i thënë me të qeshur se “e mbush djalli”.
Gjergj Bujaj për ta bindur se arma nuk ishte e mbushuar e ka hequr karikatorin e saj, ndërsa e ka drejtuar tytën tek koka e viktimës. Pa e ditur se ajo kishte plumb në gojë, ai ka bërë shkrepje të pavullnetshme e cila e ka goditur në kokë kushëririn e tij, duke i sjellë vdekjn e menjëhershme.
Në atë moment Gjergj Bujaj ka marrë karikatorin që e ka pasur në tryezë, e ka vendosur në pistoletë dhe e ka mbushuar atë duke ia drejtuar vetes. Personat që kanë qenë në lokal kanë ndërhyrë duke ia hequr armën nga dora.
Më pas ka qenë vetë Gjergj Bujaj që ka lajmëruar sallën operative të policë për atë që
kishte ndodhur. Dhe në paraburgim, ai ka tentuar të dëmtojë veten me prerje damarësh, madje shenjat e një tentative të tillë dukeshin dhe sot në gjyq, në dorën e majtë të të pandehurit.
Ai nuk ka mundur ta kryejë këtë veprim pasi mjetet për ta bërë atë i kanë munguar dhe policët e kanë penguar për të kryer veprime të tilla duke e mbikqyrur vazhdimisht.
Avokati mbrojtës Gjovalin Ulndreaj ka kërkuar caktimin si masë sigurie atë të arrestit në shtëpi, ndërsa ka theksuar se edhe pse nuk ka paraqitur prova shkresore, familja e viktimës verbalisht është shprehur se nuk dëshiron që Gjergj Bujaj të qëndrojë në burg. Megjithatë gjykata ka vendosur arrest në burg për Gjergj Bujajn.