Rritja e çmimit të naftës, operatorët e transportit: Rrezikohet reduktimi i flotës, shteti të ndërhyjë

Rritja e çmimit të naftës ka prekur edhe transportin publik. Drejtuesit e shoqatës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet e shtetit, në mënyrë që të mos cenohet shërbimi për individët që përdorin këtë transport.
“Duke parë rritjen e çmimeve të karburantit, duhet të kemi një mbështetje financiare, apo lehtësimin e taksave fiskale që ka ky sektor,” shprehen operatorët.
Duke pritur një reagim nga instancat përkatëse, ata paralajmërojnë uljen e frekuencës së qarkullimit të autobusëve, por theksojnë se qëllimi nuk është rritja e çmimit të biletës.
“Padyshim që ndërhyrja duhet të jetë emergjente dhe sa më e shpejtë, që të mos shkojmë drejt një kapitullimi ekonomik apo reduktimi të flotës së mjeteve. Reduktimi i flotës bëhet nga secili operator në bazë të fuqisë ekonomike që ka për të operuar,” shtojnë përfaqësuesit e transportit publik.
Sipas shoqatave të transportit publik, rritja e çmimit të naftës ka rritur kostot dhe po i vendos në vështirësi ditë pas dite.
/rtsh.al/