SHBA ende pa vendim për nisjen e provës bërthamore të urdhëruar nga Trump

Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë marrë një vendim për nisjen e programit të testimeve bërthamore, siç ishte urdhëruar nga Presidenti Donald Trump.
Një zyrtar amerikan ka sqaruar se aktualisht nuk ekziston një program i tillë, duke përjashtuar testet në atmosferë.
“Ne ende po e vlerësojmë situatën… Nuk kemi marrë asnjë vendim specifik në lidhje me formën e një programi të mundshëm testimi,” deklaroi Thomas DiNano, nënsekretar i shtetit për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.
Trump kishte njoftuar në tetor se SHBA-të po përgatiteshin të rifillonin testimet bërthamore, të cilat ishin pezulluar që prej vitit 1992.
Uashingtoni akuzon Rusinë dhe Kinën për kryerjen e testeve të fshehta, gjë që sipas DiNanos përbën një “disavantazh të padurueshëm” për SHBA-në.
Kur u pyet nga senatorja demokrate Jackie Rosen, e cila përfaqëson Nevadën – një shtet ku historikisht janë kryer testime bërthamore – DiNano u përgjigj se nuk ishte i përfshirë në asnjë diskutim për testime atmosferike.
Ai përsëriti qëndrimin e administratës amerikane se traktati i ri START me Rusinë, i cili skadoi në fillim të shkurtit, është i pamjaftueshëm dhe se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të përfshijë edhe Kinën.
Megjithatë, Pekini ka përjashtuar pjesëmarrjen në bisedimet për çarmatimin bërthamor me SHBA-në dhe Rusinë, duke argumentuar se arsenalet e tyre janë shumë më të mëdha krahasuar me kapacitetin bërthamor të Kinës.
/rtsh.al/