Rruga Kombinat-Ndroq-Plepa, fondi gati tre miliardë lekë për dy lote

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar pritet të hapë dy procedura të reja prokurimi për vijimin e rikonstruksionit të aksit rrugor Kombinat-Ndroq-Plepa, përkatësisht për lotin 2 dhe lotin 3 të projektit.
Sipas të dhënave zyrtare, fondi limit për lotin 2 është rreth 1,13 miliardë lekë, ndërsa për lotin 3 arrin në rreth 1,46 miliardë lekë, duke e çuar vlerën totale të dy procedurave në afro 3 miliardë lekë.
Për lotin 1 të këtij aksi, kontrata e punimeve është nënshkruar në shtator të vitit 2024.
Zbatimi i projektit është marrë përsipër nga bashkimi i operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, me një vlerë prej 567,75 milionë lekë pa TVSH.
Aksi Kombinat-Ndroq-Plepa, me gjatësi rreth 28 kilometra, konsiderohet një nga lidhjet e rëndësishme mes Tiranës dhe zonave jugore të vendit, si alternativë ndaj autostradës Tiranë-Durrës.
Sipas dokumentacionit teknik, segmenti përshkon një zonë me densitet të lartë banimi dhe ka pësuar dëmtime ndër vite, duke ndikuar edhe në qarkullimin rrugor.
Ndërhyrja në këtë aks synon përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe rritjen e sigurisë rrugore, ndërsa zhvillohet paralelisht me zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.
Po ashtu, projekti pritet të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës, e cila ka potencial të lartë bujqësor dhe po shënon rritje të agroturizmit, duke e kthyer këtë segment në një korridor me rëndësi edhe turistike.
/r.e/a.f/