GJKKO dënon me 11 vite burg Rezart Taçin për pastrim parash

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi, duke e shpallur fajtor për veprën penale të pastrimit të parave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Taçi ndodhet në arrati që prej vitit 2022, ndërsa procesi gjyqësor është zhvilluar në mungesë të tij.
Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në krye të së cilës është Klodian Braho, është kërkuar gjithashtu konfiskimi dhe kalimi në pronësi të shtetit i rreth 18 milionë eurove, të lidhura me aktivitetin e një grupi kriminal me origjinë nga Italia.
Për të njëjtën çështje janë nën hetim edhe tre shtetas italianë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Taçit, ndërsa gjykata ka dhënë vendime dënimi edhe për dy persona të afërt me të.
Hetimet kanë zbuluar se transferimi dhe fshehja e shumës prej 18 milionë eurosh është kryer kundrejt një përfitimi të premtuar në masën 16% të vlerës së parave të transferuara, të cilat janë futur në Shqipëri dhe më pas do të kalonin në vende të tjera.
Ndërkohë, më herët, në vitin 2024, Prokuroria e Tiranës e kishte dërguar Taçin për gjykim edhe për një çështje tjetër, lidhur me dyshimet për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH-në përmes dy shoqërive tregtare.
/gj.m/a.f/r.e/