E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia dëbon diplomat britanik, Londra kundërshton akuzat për spiunazh

Rusia ka urdhëruar dëbimin e një diplomati britanik nga ambasada në Moskë, duke e akuzuar për veprimtari spiunazhi. Shërbimi i sigurisë FSB deklaroi se Albertus Gerhardus Janse Van Rensburg, sekretar 29-vjeçar i ambasadës, ishte përfshirë në “aktivitete të inteligjencës subversive që kërcënojnë sigurinë e Rusisë”.

Diplomati humbi akreditimin dhe duhet të largohet nga vendi brenda dy javësh.

Ministria e Jashtme ruse thirri të ngarkuarin me punë të Britanisë për incidentin, duke paralajmëruar Londrën të mos hakmerrej. Nga ana tjetër, ambasada britanike nuk dha koment të menjëhershëm publik.

Mbretëria e Bashkuar e ka cilësuar vendimin si “plotësisht të pakuptimtë”, duke akuzuar Rusinë për një fushatë presioni ndaj diplomatëve britanikë. Në një deklaratë zyrtare, Londra theksoi se Moska po përhap “akuza dashakeqe dhe krejtësisht të pabazuara” ndaj stafit të saj. “Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë intimidimin e diplomatëve të saj dhe familjeve të tyre,” thuhet në reagim.

E ngarkuara me punë e Britanisë në Moskë, Danae Dholakia, u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse, por u largua pa koment për mediat.

Ky incident është pjesë e një serie masash reciproke mes dy vendeve, të cilat kanë dëbuar diplomatë të njëri-tjetrit në vitet e fundit.

Marrëdhëniet mes Londrës dhe Moskës janë përkeqësuar ndjeshëm që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Vetëm gjatë këtij viti, Rusia ka dëbuar disa diplomatë britanikë me akuza për spiunazh, ndërsa Londra ka reaguar me masa reciproke.

Historikisht, tensionet mes dy vendeve kanë qenë të forta. Në vitin 2006, ish-oficeri i FSB-së Alexander Litvinenko u vra në Londër, i helmuar me polonium. Në vitin 2018, ish-agjenti rus Sergei Skripal u helmua me agjent nervor Novichok në Salisbury, duke shkaktuar krizën më të madhe diplomatike dhe dëbimin masiv të diplomatëve rusë nga Perëndimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›