E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – DASH ul tarifën për heqjen e shtetësisë amerikane me 80%, duke e çuar në 450 dollarë

UASHINGTON, 14 mars /ATSH/- Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka ulur me rreth 80% tarifën që amerikanët paguajnë për të hequr shtetësinë amerikane, duke e çuar nga 2 350 në 450 dollarë, sipas AP.

Ky ndryshim u bë i ditur në një rregull final të botuar në Regjistrin Federal dhe hyri në fuqi të premten e kaluar.

Tarifa e re ishte premtuar që në 2023, por nuk ishte zbatuar deri tani.

Shifra aktuale është e njëjtë me atë që ishte kur Departamenti Amerikan i Shtetit filloi për herë të parë të tarifonte amerikanët për heqjen e shtetësisë në vitin 2010.

Heqja e shtetësisë amerikane është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, ku aplikantët duhet të konfirmojnë me shkrim dhe gojarisht përpara një zyrtari konsullor – se janë në dijeni të pasojave të këtij hapi, para se të japin betimin formal të heqjes dorë.

Pas kësaj, kërkesa shqyrtohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Tarifa ishte rritur nga 450 në 2,350 dollarë në 2015, për të mbuluar shpenzimet administrative, pasi numri i amerikanëve që donin të heqnin shtetësinë u rrit ndjeshëm, pjesërisht për shkak të kërkesave të reja tatimore për emigrantët amerikanë që jetojnë jashtë vendit.

Kjo rritje e madhe e tarifës shkaktoi kundërshtime të forta nga organizata të tilla si “Shoqata e Amerikanëve Aksidentalë” në Francë, e cila përfaqëson kryesisht persona që kanë marrë shtetësinë amerikane vetëm për shkak të lindjes në SHBA.

Organizata ka ngritur disa procese ligjore duke sfiduar kushtetutshmërinë e tarifës, përfshirë një çështje që është ende në pritje, e cila argumenton se nuk duhet të ketë kosto për heqjen e shtetësisë.

Sipas “Shoqatës së Amerikanëve Aksidentalë” , që nga njoftimi i uljes së tarifës në vitin 2023 – të paktën 8 755 amerikanë kanë paguar tarifën e plotë prej 2,350 dollarë – për të hequr shtetësinë e tyre. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›