E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Gjykata urdhëron administratën Trump të ndalojë arrestimet e emigrantëve pa shkak të besueshëm

LOS ANXHELES, 12 korrik /ATSH/ – Një gjykatëse federale mori dje vendimin se Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka kryer ndalime dhe arrestime gjatë kontrolleve të emigracionit në Los Anxheles pa pasur dyshime të arsyeshme dhe urdhëroi që të ndalohen ndalimet që bazohen vetëm mbi racën, gjuhën e folur apo profesionin e personave, sipas CNN.

Gjykatësja e Distriktit, Maame Ewusi-Mensah Frimpong, e emëruar nga ish-presidenti Joe Biden, urdhëroi që DHS të hartojë udhëzime të qarta për oficerët, për të përcaktuar “dyshimin e arsyeshëm” pa u mbështetur tek raca apo etnia e dukshme, gjuha apo theksi, “prania në një vend të caktuar”  apo “lloji i punës që dikush bën”.

Vendimi erdhi pasi Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU)  në Kaliforninë Jugore paditi javën e kaluar administratën Trump në emër të pesë personave dhe disa organizatave që mbrojnë të drejtat e emigrantëve, duke pretenduar se DHS, i cili mbikëqyr Shërbimin e Emigracionit dhe Doganave (ICE), kanë kryer arrestime antikushtetuese dhe ka penguar të ndaluarit të kenë qasje te avokatët e tyre.

Vendimi është i kufizuar vetëm në juridiksionin e Qarkut Qendror të Kalifornisë, që përfshin Los Anxhelesin dhe rrethinat.

Në vendimin e saj, Frimpong shkroi se gjykata duhej të vendoste nëse paditësit mund të provonin që administrata Trump ”po kryen patrullime lëvizëse pa dyshime të arsyeshme dhe po mohon qasjen te avokatët”.

Gjykatësja shtoi se administrata ”dështoi” të japë informacion mbi bazën ligjore të arrestimeve të kryera./   /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›