E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës

MOSKË, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov vlerësoi sot aleancën ushtarake me Korenë e Veriut, gjatë një vizite në këtë vend të mbyllur diktatorial.

“Miqtë tanë koreanë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për të gjitha objektivat e operacionit special ushtarak dhe veprimet e udhëheqjes dhe ushtrisë ruse”, tha Lavrov, duke përdorur termin që Kremlini përdor për pushtimin e Ukrainës e që ka nisur prej më shumë se tre vitesh.

Koreja e Veriut e ka mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës duke i dërguar Moskës armë dhe ushtarë.

Bisedimet e ministrit Lavrov me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son Hui, në qytetin portual Wonsan u zhvilluan në sfondin e raportimeve mediatike për një dërgim të ri të ushtarëve koreanoveriorë në Rusi.

Ushtarë nga Koreja e Veriut janë dislokuar në rajonin perëndimor rus të Kurskut, për të rimarrë pjesë të zonës që ishin zënë nga trupat ukrainase.

Edhe pse u desh kohë që ky dislokim të njihej zyrtarisht, në fund të qershorit televizioni shtetëror i Koresë së Veriut, KCTV, transmetoi pamje ku udhëheqësi Kim Jong Un vendoste flamurin koreano-verior mbi një arkivol duke nderuar me gjasë ushtarë që humbën jetën në luftën në Ukrainë.

Në kryeqytetin koreano-verior, Phenian, Lavrov falënderoi Korenë e Veriut për ndihmën dhe shpalli se në Kursk do të ngrihet një memorial për ushtarët koreanoveriorë të rënë ne Ukrainë./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›