E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Hegseth: Katër të vrarë pas një sulmi ndaj një anijeje të dyshuar për drogë pranë Venezuelës

UASHINGTON, 3 tetor /ATSH-DPA/- Në një sulm të ri të ushtrisë amerikane ndaj një anijeje të vogël që dyshohet se mbante drogë të paligjshme, u vranë katër persona, tha sot sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.

Në një postim në X, Hegseth i përshkroi viktimat si “katër narko-terroristë”.

“Sulmi u krye me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës”, tha ai.

Hegseth tha se anija mbante një sasi të konsiderueshme lëndesh narkotike dhe ishte duke shkuar drejt SHBA-së.

Trump pretendoi në një postim në platformën e tij “Truth Social” se droga në anije mund të kishte shkaktuar vdekjen e 25 000 deri në 50 000 njerëzve.

Postimet e Trump dhe Hegseth përfshinin një video që tregonte një anije që sulmohej dhe merrte flakë.

Hegseth paralajmëroi se sulme të mëtejshme do të pasonin për sa kohë që droga vazhdonte t’i shpërndahej popullsisë amerikane.

Ky ishte sulmi i katërt vdekjeprurës ndaj anijeve në Karaibe – që administrata Trump thotë se ishin të ngarkuara me drogë.

Sulmet e mëparshme në shtator vranë gjithsej 17 persona. Pas sulmit të fundit, numri i të vrarëve ka shkuar në 21.

Sulmet kanë tërhequr kritika, pasi administrata Trump, fillimisht nuk dha asnjë shpjegim për bazën ligjore të operacioneve, të cilat kritikët thonë se përbëjnë vrasje jashtëgjyqësore në ujërat ndërkombëtare.

Media amerikane raportoi dje se Trump kishte vendosur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhoheshin në një “konflikt të armatosur jo-kombëtar” me kartelet e drogës.

Sipas raporteve, administrata Trump i klasifikon kartelet e drogës dhe kontrabandistët e dyshuar të lidhur me to si “luftëtarë të paligjshëm”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›