E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Hegseth shpall fundin e epokës së lidershipit politikisht korrekt

VIRXHINIA, 30 shtator /ATSH/- Departamenti i Mbrojtjes nuk është më një departament i ‘Mbrojtjes’ por një departament i ‘Luftës’, tha sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth – duke sinjalizuar një reformë të plotë ushtarake, sipas CBC.

“Kjo është një ditë për të korrigjuar atë që është kalbur gjatë dekadave. Sot është një tjetër Ditë Çlirimi. Ne jemi luftëtarë”, tha ai.

Hegseth e hapi fjalimin e tij duke cituar një shprehje të lashtë romake: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”.

“Nga sot, misioni i vetëm i Departamentit të Luftës të restauruar rishtazi – është të përgatitet dhe të fitojë luftëra. Nëse armiqtë tanë na sfidojnë pa mend, ne do t’i shtypim me dhunë dhe saktësi të madhe”, tha ai.

Ai e paraqiti personelin ushtarak dhe reformat kulturore si përparësinë kryesore të SHBA-së.

“Për një kohë shumë të gjatë, ngritjet në detyrë u bënë gabimisht për shkak të racës, gjinisë dhe titujve”, tha Hegseth.

Epoka e lidershipit politikisht korrekt, tepër të ndjeshëm dhe të tipit “mos lëndoni ndjenjat e askujt” mbaron tani në çdo nivel”, tha Hegseth.

“Nuk do të ketë më politikë identiteti, zyra DEI (Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja), burra me fustane (transgjinorë). Ne do të rivendosim logjikën e shëndoshë dhe shpirtin luftëtar”, shtoi ai.

Hegseth urdhëroi forcimin e standardeve të aftësisë fizike dhe luftimit për të gjithë personelin.

“Ne nuk do të tolerojmë më gjeneralë të shëndoshë, admiralë ose ushtarë mbipeshë në njësitë e luftimit. Vetëm standarde të pakompromis duhet të ekzistojnë në degët e luftimit”, tha ai.

“Ashtu si presidenti Trump shpalli Ditën e Çlirimit në politikën tregtare, sot është një Ditë Çlirimi për luftëtarët. Ne nuk jemi mbrojtës që ruajnë, ne jemi luftëtarë që luftojnë për fitore dhe duhet të përgatitemi për luftë, jo për mbrojtje”, tha ai.

“Ne jemi luftëtarë dhe do ta mbrojmë paqen përmes fuqisë luftarake”, shtoi Hegseth. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›