SHBA – Prokurorët kërkojnë mbi 11 vjet burg për Sean “Diddy” Combs

NJU JORK, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Prokurorët federalë amerikanë po kërkojnë që reperi “Sean “Diddy” Combs, i shpallur fajtor më herët këtë vit për vepra seksuale, të vuajë 11 vjet e tre muaj burg.
Dokumentet e gjykatës të paraqitura sot nga prokuroria thanë se dënimi duhet të pasqyrojë mënyrën se si janë kryer krimet, duke akuzuar Combs për shkaktimin e “dekadave të dhunës së pakontrolluar” dhe “dekadave të dëmit psikologjik, emocional dhe fizik”.
Mbrojtja e Combs e quajti këtë rekomandim “drakonik”, duke theksuar se reperi ka shlyer tashmë 14 muaj në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, New York.
Ish-partnerja e Combs, Cassie Ventura, e cila dëshmoi gjatë gjyqit, shkroi në një letër për gjykatën se ka frikë nga hakmarrja nëse ai lirohet nga qelia.
Dënimi pritet të shpallet të premten.
Anëtarët e jurisë në një gjykatë federale në New York e shpallën Combs fajtor vetëm për “akuzën më të lehtë të lidhur me prostitucionin” duke e shpallur të pafajshëm për “komplot për krim të organizuar dhe trafikim njerëzor”, ndërsa e gjetën fajtor për “dy akuza për transportim për qëllime prostitucioni”.
Nëse do të ishte shpallur fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të përballej me “burgim të përjetshëm”. /Ad.Ab./