E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Paradë ushtarake dhe qindra protesta anti Trump në të njëjtën kohë

UASHINGTON, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Një paradë e madhe ushtarake u mbajt në kryeqytetin amerikan, Uashington për të shënuar 250-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Amerikane.

Është gjithashtu ditëlindja e presidentit amerikan Donald Trump, i cili dje mbushi 79 vjeç.

Parada – e parë gjithashtu si një shfaqje e fuqisë ushtarake – u kundërshtua nga një seri demonstratash kundër Trump dhe politikave të tij në qindra vende në të gjithë vendin.

Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) tha se më shumë se 5,0 milionë njerëz në të gjithë vendin u mblodhën në mbi 2 100 protesta në të gjithë SHBA-në.

“Protestat e sotme janë një mesazh i fuqishëm se njerëzit në të gjithë vendin nuk do të frikësohen nga taktikat e frikësimit të presidentit Trump”, tha në një deklaratë shefja politike dhe e avokimit e ACLU-së, Deirdre Schifeling.

“Amerikanët janë njerëz të guximshëm, që e duan demokracinë dhe nuk do të rrinë duarkryq ndërsa administrata Trump po e ushqen Kushtetutën tonë me makinën e copëtimit – as ACLU-ja nuk do të rrijë”, theksoi ajo.

Ndërsa mbaheshin protestat, rreth 7 000 ushtarë me uniforma moderne dhe historike morën pjesë në paradën ushtarake në Uashington.

Më shumë se 100 automjete dhe avionë, përfshirë automjete të rënda të blinduara, ishin gjithashtu në shfaqje.

Parada u zhvillua pranë Shtëpisë së Bardhë.

Trump e ndoqi nga një tribunë, përpara se t’i drejtohej turmës.

“Amerika qëndron drejt, Amerika qëndron krenare dhe Amerika qëndron e lirë. Ne jemi vendi më fortë në botë tani”, i tha Trump turmës.

“Dhe vendi ynë së shpejti do të jetë më i madh dhe më i fortë se kurrë më parë. Çdo vend tjetër ka festuar fitoret e veta. Është koha që edhe Amerika ta bëjë këtë”, theksoi ai.

Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump kishte dashur një paradë ushtarake të bazuar në modelin francez.

Megjithatë, ai e anuloi planin për shkak të kostove të larta.

Shumë nga njerëzit në paradë mbanin flamuj amerikanë, disa të tjerë mbanin veshur kapele të kuqe MAGA – Make America Great Again – duke treguar mbështetjen e tyre për agjendën e Trumpit./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›