SHBA – Takimi Trump-Netanyahu prioritet lirimit të pengjeve izraelite dhe armëpushimit në Gazë

UASHINGTON, 9 korrik /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se takimi i tij me presidentin amerikan Donald Trump ishte përqendruar në lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë, ndërkohë Izraeli ka vazhduar me bombardimet ndaj territorit palestinez mes përpjekjeve për të arritur një armëpushim, sipas “Reuters”.
“Me presidentin amerikan, Donald Trump diskutuam gjithashtu pasojat dhe mundësitë që ofron “fitorja e madhe që arritëm ndaj Iranit”, tha Netanyahu në platformën X – duke iu referuar luftës ajrore, muajin e kaluar ku SHBA-ja iu bashkua sulmeve izraelite kundër objekteve bërthamore të Iranit.
Kjo është vizita e tretë e Netanyahu-t në SHBA që nga kthimi i Trump më 20 janar.
Presidenti Trump deklaroi më herët për gazetarët se megjithëse nuk e konsideronte të përfunduar fushatën e Izraelit në enklavën palestineze, negociatorët ishin “pa dyshim duke punuar” për arritjen e një armëpushimi.
Trump u takua dje me Netanyahu-n për herë të dytë brenda dy ditësh për të diskutuar situatën në Gazë, ndërsa i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witcoff bëri me dije se Izraeli dhe Hamasi po i afroheshin një marrëveshjeje për armëpushim – pas 21 muajsh lufte.
“Një delegacion nga Katari, i cili pret bisedimet indirekte mes negociatorëve izraelitë dhe grupit palestinez Hamas, u takua me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë përpara vizites së Netanyahu-t”, raportoi” Axios” . /Ad.Ab./ /a.i/