E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli refuzon të tërheqë trupat nga korridori kyç në Gazë

JERUZALEM, 9 korrik /ATSH/ – Ndërsa Izraeli dhe Hamasi po i afrohen një marrëveshjeje për armëpushim, Izraeli ka bërë të ditur se dëshiron të mbajë trupat në korridorin jugor të Rripit të Gazës, një kusht që mund të rrezikojë bisedimet, sipas AP.

Një zyrtar izraelit tha se një nga çështjet e pazgjidhura në negociata është dëshira e Izraelit për të mbajtur forcat e tij në territor – gjatë një armëpushimi 60-ditor – përfshirë në aksin lindje-perëndim që Izraeli e quan korridori Morag.

Zyrtari foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediet për negociatat.

Ruajtja e një pranie ushtarake në korridorin Morag është një element kryesor i planit izraelit – për të nxitur qindra mijëra palestinezë drejt jugut – një zonë e ngushtë përgjatë kufirit me Egjiptin – në atë që Izraeli e ka cilësuar si një “qytet humanitar”.

Kritikët e shohin këtë lëvizje si një hap drejt zhvendosjes së detyruar të pjesës më të madhe të popullsisë së Gazës – e cila numëron rreth 2 milionë banorë, dhe si pjesë e planeve të qeverisë izraelite për të ruajtur kontrollin e përhershëm mbi territorin.

Hamasi, i cili ende mban dhjetëra pengje dhe refuzon kërkesat e Izraelit për dorëzim, kërkon që Izraeli të tërheqë të gjitha trupat e tij – si pjesë e çdo armëpushimi të përhershëm.

Hamasi ka kundërshtuar me vendosmëri çdo prani të qëndrueshme izraelite brenda Gazës. /Ad.Ab./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›