E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Asnjë progres pas telefonatës me Putinin

LONDËR, 4 korrik /ATSH/- Rusia nisi sulme me dronë në Kiev disa orë pas një telefonate midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, sipas “Guardian”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se telefonata e tij me Vladimir Putinin nuk kishte patur progres – në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ndërsa një ndihmës i Kremlinit tha se presidenti rus kishte përsëritur se Moska do të vazhdonte përpjekjet për të zgjidhur “shkaqet rrënjësore” të konfliktit.

“Të dy udhëheqësit nuk e përmendën çështjen e ndërprerjes së furnizimeve të disa armëve amerikane në Kiev gjatë bisedës së tyre gati njëorëshe”, tha ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov.

Përpjekjet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë përmes diplomacisë kanë ngecur dhe Trump është nën presion – përfshirë edhe nga disa republikanë – për të rritur presionin mbi Putinin që të negociojë me seriozitet.

“Nuk kam bërë asnjë progres me të,” u tha Trump gazetarëve në një bazë ajrore jashtë Uashingtonit, përpara se të nisej në një aktivitet në Iowa.

Putini, nga ana e tij, ka vazhduar të këmbëngulë se do ta ndalë pushtimin e tij vetëm nëse adresohen “shkaqet rrënjësore” të konfliktit – duke iu referuar çështjes së zgjerimit të NATO-s dhe mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Brenda pak orësh nga përfundimi i telefonatës, Rusia nisi një sulm me dron ndaj Kievit që plagosi 14 persona dhe shkaktoi zjarre të shumta.

Dëshmitarët raportuan shpërthime dhe zjarr masiv gjatë natës, ndërsa njësitë e mbrojtjes ajrore luftuan me dronët mbi kryeqytet.

Dëmtime u regjistruan në gjashtë nga 10 rrethet e Kievit dhe mbeturinat e droneve që binin i vunë flakën një objekti mjekësor në rrethin, Holosiivskyi.

Mbetjet e droneve shkaktuan gjithashtu zjarre në disa depo dhe ndërtesa banimi në rrethet Svyatoshynskyi, Solomanskyi dhe Shevchenkivskyi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›